Vrasja e 40-vjeçarit shqiptar Pëllumb Islami në një “shisha-bar” në lagjen Nea Ionia të Athinës, është arritur të zbardhet e plotë nga hetuesit në Greqi.
Prokuroria në kryeqytetin helen ka firmosur 8 urdhër arreste për vrasjen e 40-vjeçarit nga Delvina dhe si autor kryesor i ngjarjes akuzohet 34-vjeçari Elis Salaj.
Policia ka arritur të zbardh edhe motivet e ngjarjes së rëndë, duke ndryshuar tërësisht gjithë dinamikën.
Vrasja e Islamit fillimisht u raportua se erdhi nga një plumb qorr, pasi ai kishte shkuar të shihte një ndeshje futbolli në lokalin, ku shpërtheu sherri mes dy grupeve bashkëatdhetarësh që përdorën edhe armët.
Por, pas analizës së fakteve, është zbuluar se autori i vrasjes së Pëllumb Islamit është Elis Salaj nga Fieri, bashkëpronar i një klubi të njohur nate në rrugën “Liosion” në Athinë.
Në dhjetor 2022 ky shtetas është tentuar të vritet me armë zjarri automatike jashtë biznesit te tij, por autorit të ngjarjes i është bllokuar arma dhe është detyruar të largohet.
Elis Salaj, i cili është kreu i një grupi kriminal në Athinë, i njohur si “Grupi L”, që kontrollon shtëpitë publike dhe trafikun e drogës në kryeqytetin grek, ka dyshuar se autor i atentatit të dështuar ndaj tij është vëllai i Pëllumb Islamit. Ky i fundit mbrëmjen e 21 shkurtit ndodhej së bashku me 40-vjeçarin me profesion hidraulik në lokalin në “Nea Ionia”.
Vëllai i viktimës ka debatuar me grupin rival dhe të gjitha palët kanë dalë jashtë ku ka pasur shkëmbim zjarri. Nga të shtënat me armë ka mbetur i vrarë 40-vjeçari Islami nga Rusani i Delvinës dhe hetimi ka zbuluar se personi që ka goditur me armë është Elis Salaj.