Është mbajtur ditën e sotme më 8 mars 2023 seanca gjyqësore ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu për çështjen e Gërdecit.
Sipas vendimit të gjykatës seanca është shtyrë për në datën 23 mars, ora 14:00. Zamira Durda, e cila humbi të birin 7-vjeçar në tragjedinë e vitit 2008 ishte prezente në seancën gjyqësore së bashku me avokatët e saj. Pas përfundimit të seancës, ajo u shpreh për mediat se akuza ndaj Mediut për shpërdorim detyre nuk është e mjaftueshme dhe se ai duhet të akuzohet për vrasjen e një ose më shumë personave.
Në përfundim të deklaratës së saj, Durda u shpreh se do të vazhdojë ta ndjek këtë proces deri në fund ashtu siç ka ndjekur edhe proceset e mëparshme.
Zamira Durda: “Thjesht kërkoj drejtësi, të vendoset drejtësia dhe të më japë një përgjigje, pse Erisoni nuk jeton? Kaq kam kërkuar. Për mua nuk është akuzë e mjaftueshme, e kam thënë edhe herë të tjera, shpërdorim detyre, me pasojë vrasjen e një apo më shumë personave, këtu duhet të vazhdojë. Gjithsesi, do ta pranoj. Kam 15 vjet, thjesht dua një përgjigje, pse Erisoni nuk jeton më?”, theksoi ajo.