Presidentja në detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani është infektuar nga koronavirusi.
Lajmin e ka bërë me dije vetë Osmani në një postim në Facebook, ku tregon se është testuar për Covid pasi disa të afërm të saj rezultuan pozitivë.
POSTIMI I PLOTË
Të nderuar qytetarë!
Pasi disa të afërm me të cilët kisha kontakt rezultuan pozitivë në testin për Covid-19, u testova në IKSHKP dhe pak më parë u njoftova se edhe unë kam rezultuar pozitiv.
Në dy javët e ardhshme do të punoj nga shtëpia, duke u kujdesur që secili dokument a vendim që kërkon shqyrtim e vendimmarrje dhe që lidhet me përgjegjësitë e mia në të dy funksionet shtetërore që i ushtroj, të trajtohet në kohë. Po ashtu, një numër takimesh do t’i vazhdoj nëpërmjet platformave elektronike.
Përkundër kujdesit maksimal, po shihet që këto ditë virusi është kudo, më i përhapur se kurrë më parë, njëjtë i rrezikshëm si çdoherë. Prandaj, uroj që ta tejkalojmë këtë sfidë bashkërisht, duke mos e injoruar rrezikun nga virusi dhe kujdesin që duhet treguar.
Mirëmbetshi e shëndet të gjithëve!





