Autoritetet policore në Tiranë parandaluan atë që mund të kishte qenë një ngjarje kriminale në familje. 41-vjeçari Julian Xhima ra në pranga në zonën e Kombinatit, pasi mbrëmjen e së hënës kërcënoi familjen e tij me kallashnikov. Shkak, thotë policia, u bë një konflikt për motive të dobëta.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, pas marrjes së njoftimit për një shtetas që kishte kanosur me armë zjarri, familjarët e tij, në lagjen “Misto Mame”, menjëherë kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Afternoon”. Në kuadër të këtij operacioni u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit: J. Xh., 41 vjeç, banues në Kombinat. Shtetasi J. Xh., mbrëmjen e djeshme, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka kanosur familjarët e tij, me armë zjarri (kallashnikov), e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale”, thuhet në një njoftim të policisë së Tiranës.
Grupi hetimor vijon ndërkohë punën për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.





