Kryeministri Rama ka udhëtuar ditën e sotme drejt Londrës, ku do të ketë një vizitë zyrtare 3 ditore.

Rama do të pritet për herë të parë në një takim nga homologu i tij britanik Rishi Sunak dhe temë e diskutimeve ndër të tjera pritet të jenë çështje aktuale të politikës ndërkombëtare, si dhe forcimi i bashkëpunimit, përmes marrëveshjeve ndërqeveritare, në fusha me interes të ndërsjelltë.

Takimi mes tyre vjen pas disa polemikave mes Tiranës dhe Londrës në lidhje me deklaratat e Sekretares së Brendshme, Suella Braverman për emigrantët shqiptarë.

Kreu i qeverisë shqiptare i ka konsideruar si diskriminuese deklaratat e saj, të cilat kanë shkaktuar polemika në Britani.

Me kryeministrin Sunak, Rama do të takohet të enjten dhe do të kenë një deklaratë të përbashkët për shtyp.

Në fokus të diskutimeve pritet të jetë edhe marrëveshja e dakordësuar mes të dyve për emigracionin e paligjshëm, por dhe arritja e marrëveshjeve të tjera kryesisht me karakter ekonomik dhe çështjet e sigurisë e luftës ndaj krimit të organizuar.

Pjesë e delegacionit do të jetë dhe Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi.

Rama do të pritet edhe nga kryetari parlamentit britanik, Lindsay Hoyle e do do të jetë gjithashtu i ftuar në Institutin Mbretëror të Marrëdhënieve Ndërkombëtare.

Ai pritet të marrë pjesë në një pritje të organizuar nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar për 100-vjetorin e marrëdhënieve mes dy shteteve.