Policia e Lezhës ka finalizuar operacionin “Urbanistika” pas një hetimi 3-javor, duke arrestuar një biznesmen (pronar hoteli) dhe shpallur në kërkim dy zyrtarë të Bashkisë së Lezhës.

Ish-drejtori i Drejtorisë së Planifikimit të Territorit dhe Zhvillimit Urban në Bashkinë Lezhë është shpallur në kërkim nga autoritetet për shpërdorim detyre dhe ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike.

47-vjeçari S.T. është shpallur në kërkim së bashku me specialistin e kësaj drejtorie, 41-vjeçarin N.C. Në pranga është vendosur 46-vjeçari F.N, pronar i një ndërtese në Shëngjin.

Sipas informacioneve të policisë, pronari kishte ndërtuar në mënyrë të paligjshme një kat shtesë në hotelin e tij 7-katësh në kundërshtim me vendimin e Agjencisë së Zhvillimit të Territorit. Mësohet se ai ka ndikuar në mënyrë të paligjshme kundrejt premtimit dhe përfitimit material tek shtetasit S. T., N. C. dhe A. M., për procedurën e miratimit të lejes së ndërtimit.

Ndërkohë është proceduar në gjendje të lirë një 32-vjeçare, me detyrë përgjegjëse sektori në Drejtorinë e Planifikimit të Territorit dhe Zhvillimit Urban në Bashkinë Lezhë.

“Materialet hetimore iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shpërdorim detyrë” e kryer në bashkëpunim për shtetasit S. D., N. C., A. M., dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Ndërtim i paligjshëm” për shtetasin F. N”, thuhet në njoftimin e policisë së Lezhës.