Kapiteni rus i anijes çisternë “Grace Felix” do të vazhdojë të qëndrojë në qelitë e paraburgimit në pritje të mbylljes së hetimeve nga autoritetet shqiptare.

Prej një muaji e gjysmë anija vazhdon të qëndrojë e bllokuar në radën e portit detar të Durrësit. Me kërkesë të prokurorit të çështjes, Gjykata e Durrësit vendosi për herë të dytë “arrest me burg” pa afat për Aleksey Smaznov, kapiten i anijes me 22 500 tonë naftë të sekuestruara për thyerje të embargos.

Më parë, mbrojtja e kapitenit e kishte ankimuar vendimin e parë të gjykatës së Durrësit dhe Apeli vendosi “arrest me burg” me afat 7 ditor. Në përfundim të këtij afati, çështja u rishqyrtua sërish, pasi organi i akuzës e ka çmuar të nevojshëm masën shtrënguese të sigurisë për kapitenin rus dhe gjykata ka vendosur në favor të saj.

Gjatë një seance gjyqësore që u zhvillua më 4 prill gjykata pranoi kërkesën e prokurorit të çështjes që deklaroi se vijojnë hetimet për rolin e kapitenit dhe akuzat e ngritura ndaj tij për kontrabandë. Mbrojtja e Smaznovit e pati konsideruar absurde masën shtrënguese ndaj kapitenit që akuzohet për kontrabandë dhe tregtim e transport të mallrave kontrabandë, pasi, sipas tij, kapiteni i anijes nuk ka tagër të konsumojë veprën penale të kontrabandës së naftës dhe në këtë rast nuk ka as të dhëna ta ketë kryer pasi anija nuk është shkarkuar.

Anija çisternë me flamur liberian nuk u fut në kalatë për shkak të problemeve që u konstatuan nga autoritetet në dokumentacion, ndërsa mbrojtja e rusit deklaron se nafta është ngarkuar në një vend të BE-së, Greqi që do të kishte reaguar nëse do të kishte elementë të thyerjes së embargos. Anija mbahet e bllokuar në Durrës që nga data 20 shkurt, ndërsa nafta është sekuestruar deri në përfundim të hetimeve.