Pas mbledhjes së qeverisë, zv/kryeministrja Belinda Balluku u pyet nga gazetarët në lidhje me çështjen “Becchetti”. Ajo u shpreh se  qeveria nuk do të lejojë që Shqipëria të merret peng “nga një kriminel i këtij niveli”. Ajo tha se qeveria po e bën luftën jo vetëm për vendin tonë por edhe për të ndihmuar vendet e tjera dhe disa kompani që kanë prej vitesh “që dhunohen dhe përdhunohen nga i njëjti kriminel”.

Pyetje: Arbitrazhi i ka dhënë fund procesit gjyqësor për biznesmenin italian Francesko Becchetti duke detyruar Shqipërinë ta dëmshpërblejë atë në një faturë prej 110 milionë Eurosh. Ku do t’i gjejë qeveria shqiptare paratë për ta paguar dhe a do të ndikojë në rritjen e pagave dhe pensioneve? A do të keni mundësi për ta bërë këtë?

Belinda Balluku: Rritjen e pagave dhe pensioneve nuk e ndikon dot asgjë sepse është një vendim i marrë tani nga qeveria shqiptare. Kur Kryeministri Rama flet, ne nuk dalim kurrë për propagandë. Dalim gjithmonë me programe të studiuara dhe të miratuara dhe pastaj i bëjmë publike. Nuk jemi ajo forcë politike që dalim themi dhe pastaj del një vendim gjyqi dhe na e ndryshon. Më vjen shumë keq që ndjej nota kënaqësie për vendimin e CSID-it, por duhet të them që nëse i referoheni vendimeve të Gjykatës Supreme të Mbretërisë së Bashkuar, shtetet për shkak të sovranitetit kanë të drejtë të mos marrin parasysh vendimet e CSID-it. Kështu që ky është pozicioni jonë. Unë ju them që do ishte mirë t’i referoheni një tweet-i që sapo ka bërë kryeministri pasi qeveria shqiptare do të luftojë për sovranitetin e këtij vendi, ashtu siç i takon dhe do të mbrojë Republikën e Shqipërisë nga çdo lloj krimineli i dënuar 10 apo 17 vite, i cili ka kryer krime i faktuar nga gjykatat e të gjitha niveleve dhe nuk ka shans që qeveria shqiptare të lejojë që Shqipëria të merret peng nga një kriminel i këtij niveli dhe me thënë të drejtën ne luftën nuk po e bëjmë vetëm për vendin tonë, por kur Shqipëria të fitojë këtë luftë me rastin në fjalë do të kemi ndihmuar edhe disa vende të tjera, dhe disa kompani të tjera që kanë prej vitesh që dhunohen dhe përdhunohen nga i njëjti kriminel. Kështu që është një luftë për të drejtën dhe ne do ta bëjmë me shumë kënaqësi dhe shpresoj që këtë ta ndjeni ju të gjithë si shqiptarë dhe të mos keni këtë, e humbët.

Pyetje: Qeveria shqiptare ka bërë një përllogaritje se sa ka shkuar fatura totale e shpenzimeve apo kamat-vonesave qoftë për avokatët mbrojtës dhe jo vetëm?

Belinda Balluku: Qeveria shqiptare kur vjen tek mbrojtja e sovranitetit është e gatshme që të paguajë disa para për avokatët se kështu ndodh. Kjo është një gjë që e bëjnë të gjithë. Nëse ke një çështje gjyqësore, nëse ke një çështje prone dhe je një qytetar i thjeshtë do marrësh një avokat. Vetëm nëse je avokat vetë dhe e mbron vetë veten. Qeveria shqiptare patjetër që do të marrë avokatë, më të mirët dhe do të mbrohet sepse këtu cënohet sovraniteti i republikës sonë nga një kriminel siç ju thashë, i dënuar nga gjykata të niveleve të ndryshme dhe të vendeve të ndryshme me 17 vite burg. Unë them që të gjithë së bashku të jemi të qartë në këtë pjesë se kjo është një luftë që ne nuk do e ndalim.

Në lidhje me këtë çështje reagoi më herët edhe kryeministri Edi Rama. Ai tha se kjo çështje del sa herë ka fushatë dhe thekson se Becchetti është dënuar me burg për mashtrim.

“Para çdo fushate del që Beketi i dënuar me 16 vjet burg për mashtrim i mori Shqipërisë 100mln€! Pastaj shokët e tij këtu humbin zgjedhjet dhe kur vjen fushata tjetër del që s’i ka marrë atëherë po i mori tani! Prapë kështu do ndodhë me shokët e mashtros! Deri fushatën tjetër!”, tha Rama.