Në datat 11-13 nëntor 2020, Universiteti “Aleksandër Moisiu” (UAMD) zhvilloi një trajnim ndërdisiplinor mbi edukimin konsumator studentor. Aktiviteti i mbajtur në mjediset e Autoritetit Portual Durrës u organizua në kuadër të projektit “Ngritja e kapaciteteve për edukimin konsumator të studentëve në epokën e ndryshim klimatik”, i mbështetur financiarisht nga Agjencia Universitare e Frankofonisë (AUF).
Në ditën e parë të trajnimit, Dr. Forcim Kola foli mbi përqëndrimin e politikave ekonomike dhe ato të sektorit të bujqësisë në prodhimin dhe konsumin e shëndetshëm. Ndërsa, Alban Çakalli, fermer që prodhon në mënyrë të shëndetshme varietete të “Superfoods”, iu shpjegoi pjesëmarrësve nismat për kultivimin e “gojiberry” në vendin tonë.
Me shumë interes u ndoq prezantimi i Dr. Oliana Sulës, i cili u fokusua në konsumin e qëndrueshëm dhe impaktin e tij mjedisor; dhe i Dr. Gentjan Shaqirit, që ndau me të rinjtë mundësitë e zhvillimit të projekteve studentore në sipërmarrjen e gjelbër.
Dr. Oliana Sula, njëherazi menaxhere e këtij projekti, u shpreh se “konsumi i qëndrueshëm është ende një tematikë e panjohur mirë në Shqipëri dhe jo shumë e përfshirë në kurrikula në mënyrë eksplicite”. “Ky aktivitet është një vlerë e shtuar për institucionin tonë pasi për herë të parë po organizohet një seminar me këtë tematikë dhe që ka pasur pjesëmarrje nga të gjithë fakultetet. Interesi dhe motivimi i të rinjve pjesëmarrës ishte i madh pavarësisht kohës së pazakontë që po jetojmë”, përfundoi ajo.
Kloida Gjuzi, studente e Fakultetit të Edukimit, u shpreh se “certifikimi nga AUF i çel të rinjve dyert për të mësuar më shumë në këtë fushë, por edhe i ndihmon ata në aplikimet për të ndjekur trajnime apo kualifikime të tjera pasuniversitare.”
Në fjalën e tij, Drejtori i Administrimit dhe Shërbimeve Akademike, Xhafer Rakipllari, u shpreh se “përmes këtyre aktiviteteve Qendra e Karrierës në UAMD synon të mbështesë forcimin e kapaciteteve studentore dhe të promovojë përfshirjen dhe angazhimin e tyre në jetën universitare dhe komunitare”.
Ai premtoi vijimësinë e projektit dhe ftoi studentët t’i bashkohen Klubit për Zhvillim të Qëndrueshëm në UAMD, që do të synojë promovimin e konsumit dhe prodhimit të shëndetshëm, si dhe të mësuarit në komunitet. Klubi do të mbështetet me bazë materiale nga AUF.