Rritja e përgjithshme e çmimeve u frenua në muajin mars te këtij viti në 5.3%, por shtrenjtimi i ushqimeve vijoi me ritme dyshifrore duke lajmëruar se kostot e jetesës vijojnë të jenë të rënduara edhe pse në nisje të sezonit të prodhimeve bujqësore vendase.

Teksa inflacioni u rrit me vetëm 5.3% në mars, çmimet e grupit të ushqimeve u rriten me 11 për qind, ndërsa në mes tyre disa artikuj bazë të shportës u zgjeruan me ritme katër herë më shumë se inflacioni, 20%.

P.sh. grupi i bulmetit vijoi të ketë rritjen vjetore më të lartë të çmimeve edhe në muajin mars. INSTAT raportoi se çmimet e bulmetit ishin gati 21 për qind më të larta se marsin e vitit 2022. Të dhënat nga tregu për nënprodukte të qumështit si djathi dhe gjalpi tregojnë për dyfishim të çmimeve përgjatë vitit të fundit. Tregu i bulmetit po përjeton një krizë të shkaktuar nga rënia e numrit të krerëve dhe prodhimit vendas në blegtori si rrjedhojë e falimentit masiv të fermave të vogla bujqësore me 2-3 krerë.

Pas bulmetit rritjen më të lartë të çmimeve e kishte peshku me rreth 16%. Vendi ynë nuk ka një flotë peshkimi të mirëfilltë që të plotësojë nevojat në tregun vendas, ndaj tregu nga varësi nga importi dhe çmimet e tij.

Çmimet e zarzavateve dhe patateve u rriten me 13.6 për qind. Ritmet e rritjes në këtë grup u ringjallen pas një qetësie disa mujore. Në mars rritja u nxit më së shumti nga çmimi shumë i lartë i qepës. Qepa si një produkt bazë në gatime po shitet nga 150-200 për kilogram si pasojë e mungesës së prodhimit vendas. Ekspertët e bujqësisë pohuan se sezonin e kaluar mbollën më pak qepë në Korçë si rrjedhojë e zëvendësimit e tyre me kulturat e drithërave.

Çmimet e ushqimeve të përpunuara të tilla si, vaji, makaronat, orizi, sheqeri etj. gjithashtu ishin 10% më të larta se në marsin e vitit 2023.

Çmimet e ushqimeve të përpunuara në vendin tonë po qëndrojnë në nivele të larta edhe pse në tregun ndërkombëtar ato po shënojnë rënie dhe nga ana tjetër kursi i këmbimit po favorizon uljen e tyre. Një euro tashmë po kushton 6% më pak se marsin e vitit të kaluar, duke bërë që importet në euro të jenë 6 % më të lira.

Çmimi i mishit gjithashtu ishte 11.4% më i lartë se në mars të vitit 2022. Arsyet janë të njëjta si për bulmetin. Furnizimet nga tregu i brendshëm kanë rënë teksa importet për këtë produkt janë me rritje.

Rritja e çmimeve të ushqimeve në vendin tonë e ndikon shumë negativisht koston e jetesës, pasi shqiptarët çojnë më shumë se 40 për qind të shpenzimeve mujore për blerjen e tyre./ Monitor