Shtyhet seanca në Gjykatën Kushtetuese për kërkesën e PD për shfuqizimin e VKM-së për konfiskimin e pronave. Seanca u vendos të mbahet më 26 prill ora 10:00.
28 deputetë të PD kërkojnë shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të VKM-së për rregullat dhe procedurat për konfiskimin për interes publik të objekteve të ndërtuara pa leje për qëllim fitimi.
Deputetët kërkojnë shfuqizimin e VKM-së me argumentin se është në kundërshtim me Kushtetutën pasi cenon barazinë e qytetarëve para ligjit.
Nga ana tjetër përfaqësuesja e qeverisë ka nisur manovrat që kjo çështjes të mos merret në shqyrtim duke nxjerrë pretendime për numrin e deputetëve firmëtarë. Sipas saj, dy deputetë që kanë firmosur kërkesën për Kushtetuesen, Grida Duma dhe Alfred Rushaj nuk janë më deputetë, çka sjell që janë vetëm 26 deputetë firmëtarë.
Por Gazment Bardhi tha se 28 firmëtarët kanë qenë deputetë kur firmosën.
“Kërkesa është paraqitur nga 28 deputetë, në momentin që është vënë në lëvizje Gjykata Kushtetuese. Pra 28 firmëtarët kanë qenë deputetë në momentin që kanë firmosur. Znj. Duma dhe z. Rushaj kanë qenë deputetë kur kanë firmosur.
Me këtë logjikë i bie që nëse Presidenti i Republikës vendos në lëvizje Gjykatën Kushtetuese dhe nëse ai qëllon që i mbaron mandati, apo vdes, i bie që çështja të mbyllet. Nuk ka kuptim. Në momentin që kjo kërkesë është firmosur, 28 deputetët kanë pasur këtë funksion”, arsyetoi Bardhi.