50 gramë lëndë eksplozive ka qenë sasia e vendosur në mjetin e kreut të degës së “Rithemelimit” në Vaun e Dejës.
Ky është konkluzioni i arrirë nga forcat xhenio pas eksperimentimit të mjetit që shpërtheu një ditë më parë.
Për ngjarjen e rëndë, ku Benard Ndrecës i bënë atentat me tritol në mjetin e tij, në policinë e Shkodrës janë shoqëruar 6 persona, të cilët janë marrë në pyetje.
Mësohet se ata janë kryesisht familjarë dhe fqinj të shënjestrës së atentatit të cilët janë pyetur për ndonjë konflikt të mundshëm të Benard Ndrecës. Por nga hetimet e deritanishme rezulton se ai nuk ka konflikte dhe hetuesit nuk e lidhin shpërthimin as me punën e tij si ekonomist.
Vetë Ndreca pas ngjarjes deklaroi se shpërthimi ka ndodhur për shkak të detyrës së tij si kryetar i Partisë Demokratike në Vaun e Dejës. Nga kamerat e sigurisë policia ka fiksuar edhe dy personat që vendosën lëndën plasëse.
Nuk konfirmohet nëse ata janë identifikuar pasi ishin edhe të maskuar. Hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë që dy personat që duken në video të jenë porositur nga dikush tjetër për të montuar eksplozivin. Nga shpërthimi fatmirësisht Benard Ndreca nuk mori lëndime dhe po ashtu as nëna e tij e cila doli për ta përcjellë të birin në oborrin e banesës.