Kosova dhe Shqipëria kanë nënshkruar protokollin që përmirëson më tej regjimin e lëvizjes së lirë ndërkufitare për banorët e zonave në të dy anët e kufirit.
Ky lajm është bërë i ditur nga vetë ministri i Brendshëm Bledi Çuçi, i cili bashkë me homologun e tij të Kosovës, Xhelal Sveçla, kanë firmosur marrëveshjen në Tiranë.
Çuçi ka thënë se do të bëjnë të pamundurën që shtetasit e Kosovës dhe Shqipërisë të qarkullojë lirshëm në të dy anët e kufirit.
“Ju e dini qëndrimin tim që unë do të doja që të mos kishte marrëveshje fare, ose më mirë të kishte vetëm një marrëveshje, të mos kishte kufi fare dhe kjo lëvizje e lirë që ne po u mundësojmë banorëve kufitarë brenda 30 kilometrave të secilit vend, të ishte për gjithë territorin qoftë të Kosovës qoftë të Shqipërisë”, ka thënë Çuçi.
Ndërkohë Sveçla bën me dije se ky protokoll është një tjetër hap përpara në procesin e lehtësimit meqë krahas lirisë së lëvizjes më këmbë shtohet dhe kalimi me automjete për nevoja të jetës së përditshme të këtyre banorëve.