Ndalesa për hyrje në Maqedoninë e Veriut të hoxhës Ahmed Kalaja është absurde tha Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga në emisionin Klan Debat. Sipas tij, në institucionet e shtetit e sidomos ato të sigurisë ende ka të instaluara segmente albanofobe dhe islamofobe. Ai, siç njofton KlanM, premtoi se do ta zgjdhin rastin e hoxhës dhe do ta largojnë nga lista e personave me rrezik.

“Është absurde që një njeri që bën thirrje në ditë me diell për paqe e mirësi edhe për dashuri të cilësohet si ekstrem ose diçka e tillë… Akoma edhe më keq si rrezik kombëtar. Nëse ai është rrezik për Maqedoninë, atëherë ne të dy jemi akoma edhe më shumë rrezik sepse edhe unë ashtu si edhe familja ime i dëgjojmë shpesh ligjëratat e hoxhës së nderuar Ahmed Kalaja, të Enis Ramës, Armend Sejdiut apo edhe Elvis Naçit, kështu që nëse ata janë të rrezikshëm atëherë ne jemi edhe më të rrezikshëm”, tha Krenar Lloga.

Pas kësaj deklarate të ministrit, përmes rrjeteve sociale ka reaguar edhe vetë Kalaja.

“Krenar me Krenarin. Faleminderit shumë për reagimin e mbushur me ndjeshmëri gjaku shqiptar; gjë që na bën të ndjehemi krenar i nderuari ministër z. Krenar Lloga. Me të vërtetë konstatimi juaj është tepër korrekt: Këtu vjen era albanofobi dhe islamofobi, shkruan Hoxhë Ahmed Kalaja në Facebook.

Ndryshe, autoritetet e Maqedonisë së Veriut ia kishin ndaluar hyrjen në vend të Hoxhës Ahmed Kalaja me arsyetimin se “përbën kërcënim për rendin kushtetues, sigurinë kombëtare, shëndetin publik apo marrëdhëniet ndërkombëtare të Maqedonisë së Veriut”.