Faruk Fatih Özer, themeluesi i shkëmbimit të kriptomonedhave Thodex, të cilin Shqipëria vendosi ta ekstradonte në Turqi, mbërriti në Stamboll me avion.

Mediat turke kanë publikuar pamjet që nga avioni deri në zbritjen në tokë të Ozer. 29-vjeçari u arrestua në Himarë më datë 30 gusht të vitit 2022, si rezultat i operacionit policor të koduar “Brain”, të zhvilluar nga Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan, në bashkëpunim me FAST Albania, DVP Vlorë dhe Interpol Tiranën.

I riu turk ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Lartë e Stambollit në vitin 2021, kishte lëshuar urdhër arresti ndaj tij, për veprat penale “Krijimi i organizatës kriminale” dhe “Mashtrimi me pasoja të rënda”.

Ai akuzohet për mashtrim të 391 000 qytetarëve, nëpërmjet kriptomonedhave, mashtrim me dëm ekonomik 2 miliardë dollarë.

Dy ditë më parë, Gjykata e Lartë rrëzoi kërkesën e themeluesit dhe CEO-s së kompanisë “Thodex” Faruk Ozer për të mos u ekstraduar drejt Turqisë aty ku akuzohet për mashtrimin e rreth 400 mijë personave.

Nga pamjet duken masa të rrepta sigurie me 6 oficerë dhe 2 furgonë që kanë mbërritur në aeroport për të pritur Ozer.

Ozer dyshohet se kur u arratis nga vendi i tij, kishte me vete një server ku mbahen 108 milionë dollarë në formë kriptomonedhash. Ai është arratisur prej muajit prill të vitit 2021 nga shteti turk.