Dita e sotme ka sjellë një përmirësim të dukshëm të kushteve të motit. Kjo do të vazhdojë deri në orët e pasdites. Sinoptikani Hakil Osmani thekson se mbrëmja do të sjellë kalime vranësirash dhe mund të ketë momente me shi në zonat malore, dhe pjesërisht në qytetet e ulëta. Por këto reshje do të jenë shumë të pakta dhe të papërfillshme.

Edhe fundjava është e favorshme sa i përket kushteve të motit. E shtuna dhe e diela do të dominohen me kthjellime. Osmani tha se të shtunën pritet që pasditja të sjellë shpeshtim të vranësirave, ndërsa dita e diel do të ketë mot të qëndrueshëm përgjatë gjithë 24 orëve.

“Dita e shtunë do të jetë në dominimin e kthjellimeve në pjesën e parë të saj, ndërsa pjesa e dytë do të sjellë shpeshtim të vranësirave të cilat më të dukshme do të jenë në zonat jugore dhe juglindore duke krijuar momente të pakta me reshje të izoluara shiu.

Dita e diel do të sjellë mot të qëndrueshëm gjithë 24 orëshin. Do të kemi diell të paktën deri në orët e pasdites në të paktën të gjithë territorin shqiptar ndërsa mbrëmja do të sjellë zhvillim të vranësirave, por nuk priten reshje”, u shpreh ai.

Edhe temperaturat nga sot kanë patur një rritje të lehtë dhe pritet që të rriten akoma duke shkuar në vlera maksimale gjatë fundjavës në 25 gradë Celsius. Prandaj për ata që kanë bërë plane në fundjavë moti është i favorshëm.

“Ata që do dëshirojnë të shfrytëzojnë plazhin, të bëjnë një shëtitje, do të jetë një mot i favorshëm, do të ketë diell, do të ketë mot të qëndrueshëm, edhe erë nuk do të ketë”, tha Osmani.