Detaje të reja janë zbuluar në lidhje me zhdukjen e dy 46 vjeçarëve prej disa ditësh në Sarandë.

Dyshohet se dy të zhdukurit Leonard Thodhori i njohur si “Koçole” dhe Fatmir Sulovari alias Fatmir Krasniqi, janë ekzekutuar dhe groposur në fshatin Vrinë të Bashkisë Konispol.

Mëngjesin e kësaj të diele, rreth 50 familjarë te Fatmir Sulovarit janë nisur drejt kësaj zone për ta krehur fizikisht dhe me mjete logjistike me qëllim gjetjen e trupave.

Ndërkohë në lidhje me këtë ngjarje burimet policore tregohen shumë të rezervuara në dhënien e informacioneve, megjithatë është mësuar se personat e shoqëruar prej 48 orësh janë me precedentë penalë, disa madje edhe të arrestuar dy vitet e fundit nga policia e Sarandës për vepra të rënda por të liruar më pas nga Gjykata e këtij qyteti.

Ndërkaq akoma nuk ka informacion nëse ndaj tyre ka ndonjë masë arresti, por motivi kryesor i ngjarjes dyshohet të jetë shit-blerja e një toke, edhe pse personat e dyshuar kanë precedentë për çështje të mëdha narkotikësh.