Eksperti i kriminalistikës, Fatjon Softa, ka analizuar gabimet e mundshme në vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj në Shëngjin, që mund të çojë në identifikimin e autorit të krimit të rëndë.

Softa theksoi në Euronews se për herë të parë në një vrasje mafioze kemi pamje reale të vrasësit, ku mund të shihen dimensionet e tij trupore dhe mënyra si ecën.

Ndër të tjera eksperti tha se nëse provat nga vendi i ngjarjes janë marrë siç duhet atëherë mund të bëhet dhe identifikimi i ekzekutorit.

“Është hera e parë që në shumë atentate apo vrasje të këtij niveli që një vrasës shfaqet fizikisht. Kjo është një shfaqje e parë, pasi në rastet e tjera ka qenë goditje nga makina, largim nga vendi ngjarjes duke lënë vetëm gëzhojat. Ne këtu kemi një pamje, kemi dimensioned e trupit, mënyrën e ecjes, kemi mungesën e dorezës dhe prekjen e dorezës së portës. Nëse grupi hetimor ka marrë të gjitha provat në mënyrë profesionale, patetër që autori mund të gjendet. Po u gjet autori mund të shkojmë dhe më pas tek porositësit. Kjo ka qenë një vrasje e organizuar ku është përfshirë më shumë se një person”, tha Softa.