Gazetari Armand Shkullaku shprehet se në datën 14 Maj, Shqipëria do të shkojë në votime por jo në zgjedhje.
I ftuar në Klan News, gazetari Shkullaku e argumenton këtë deklaratë duke thënë se rregulli i zgjedhjeve të lira dhe të barabarta është prishur që përpara fushatës.
Armand Shkullaku: Më 14 Maj, ne do të shkojmë në votime, por jo në zgjedhje. Rregulli i zgjedhjeve si të lira dhe të barabarta është prishur që përpara fushatës. Do të kemi një koalicon që kandidon në 61 bashkitë e vendit, i cili nuk ka komisionerë, që nuk ka numërues në gjysmën e vendit, që nuk përfiton fonde publike, nuk ka kohën e përcaktuar televizive që do i takonte si opozita më e madhe.
Gazetari Shkullaku thotë se fushata për 14 Majin është e ndërtuar mbi disa paradokse dhe për këtë, një nga argumentet që jep është se edhe pse është një fushatë lokale, kryeministri Rama po i jep asaj tonet e një fushate të përgjithshme.
Pyetje: Pse duket disi ndryshe nga fushatat e tjera për zgjedhjet vendore?
Armand Shkullaku: Për mua, e gjithë fushata është ndërtuar mbi disa paradokse. Pra, është një fushatë lokale, por po vëmë re që mazhoranca, veçanësisht Rama po i jep tonet e një fushate të përgjithshme. Pavarësisht se flitet për bashkitë, një pjesë të të cilave jo vetëm këtë 4-vjetor, por edhe një shumicë bashkish që po i drejton prej 2 mandatesh, kështu që do të ishte një moment që njëherë në 4 vjet, është e drejta e zgjedhësve për të bërë bilancin e asaj se çfarë është bërë me paranë publike, ku jemi me premtimet e dhëna vite më parë dhe në bazë të kësaj transparence, do të bëhej dhe zgjedhja për të ja besuar ose jo një mandat tjetër kandidatëve që janë për kryetarë bashkie. Kjo është shmangur nga mazhoranca dhe duket sikur këtë fushatë, Rama e ka vendosur në prespektivën e zgjedhjeve të 2025-ës.
Paradoksi që vë re unë është se mazhoranca apo Rama quajnë si rival, partinë e Alibeajt e madje ai ka thënë se këta janë PD-ja e vërtetë, por ndërkohë të gjithë fushatën e ka me Berishën dhe me Ilir Metën. Fushatë që është shënjuar para se të nisë, e gjithë makineria shtetërore u vu në dispozicion të mazhorancës duke filluar nga Gjykata e Apelit të cilët morën një vendim të paprecedentë në 33 vite duke vendour që të paktën 600 mijë shqiptarë të mos kenë logon, përfaqësimin e tyre në fletën e votimit, madje shkoi dhe më tutje, u vendos se cili do të jetë drejtuesi i koalicionit.