Nga BUJAR QESJA

Duhet të shpejtoj për të nxjerrë vlera, të palosura diku në atë që quhet sënduku i memories time. Janë historia e jonë, e imja , e jotja, e ne të gjithëve bashkë. E kanë shkruajtur parardhësit dhe bashkëkohësit edhe tani me ne. Pak nga pak e për ditë, bëhet shumë, por gjithnjë pamjaftueshëm.

Punoj pa u lodhur, duke iu ofruar sadopak pasionit të jashtëzakonshëm që kishin këto të mjeshtra për sportet, e në veçanti për notin. Nëse nuk ndodhte kjo, not nuk do të kishim në këto përmasa. Breza që rritën njëri tjetrin dhe përfituan nga njëri tjetri. Quhet frymëzim ky. Quhet histori kjo.

Foto që më dridhen duart kur e vështroj. Ka peshë të rëndë. Ka peshën e secilit prej të 12-tëve që duken shumë apo pak, por edhe peshën e rëndë të asaj ç’ka përfaqësuan. Durrësi pa dyshim, në zemër të tyre. Durrsakët gjithashtu pa dyshim, në shpirtërat e tyre. Luftuan për një fanele, për një ngjyrë, për një traditë. Dhe e bënë mirë punën e tyre.

Unë si vëlla i tyre, me mbështetjen e Klubitshumë Sportesh “Lokomotiva”, u kam folur në këtë grumbullim të asaj kohe. Më thanë që të flitja diçka për sportin e notit dhe për vlerat historike të tij. Mos gaboj quhej takim i “Tre brezave”. Dhe dëshmi nga ai takim i vitit 1988, kam këtë pamje bardhezi, që prek ngjyrat më të bukura të arritjeve të notit durrsak.

Notarë me peshë, me mjekër, me autoritet dhe prestigjin e përfaqësimit. Kur ua kujtoj emrat ngas historinë dhe u heq sadopak pluhurin e 35 viteve. Kujtime janë, pasi historinë e gdhëndën në malin e lartë dhe të pashembur të arritjeve.

Janë aty Bernardina Qerraxhia, e mahnitshmja vajzë për nga bukuria dhe vlerat. Është e rrallë në mos e vetme. Është marrë me çiklizëm nga para lufta. Gjyqtare boksi, atletike, noti. Trajnere e parë e ekipit të volejbollit të vajzave të Durrësit, diku nga vitit 1946. Aktore që para krijimit të teatrit “A. Moisiu” në vitin 1953. Organizuesja e manifestimeve të fuqishme sportive të rinisë shkollore. Pedagogia e rrallë e anglishtes. E vuajtura zysha ime deri në palcë, Bernardina Qerraxhia. U lumtë atyre që e përjetësuan, duke i vendosur shkollës kombëtare të mjeshtrisë sportive në Durrës emrin e saj.

Në foto janë kampionë të mëdhenj si Burhan Truma, Spiro Urumi, Xhavit Bujari, Naxhi Stringa, Shaqir Kapexhiu, Ilmi Kapllani, Skënder Kurani, Hysen Haxhia, Vlash Dhima, Rasim Rexha dhe inspektori i klubit për kohën Hysen Lika.

Zysh Beni, Truma, Urumi, Bujari, Stringa, Kapllani, Kapexhiu, Kurani, Rexha nuk jetojnë. Por fati është me ta, pasi as nuk mund të harrohen dhe as nuk mund të anashkalohen, për atë ç’ka dhanë në të mirë të notit.

Shkruaj e shkruaj i nxitur dhe i frymëzuar, pikërisht për atë që ata kanë bërë, në të mirë dhe në dobi të asaj që krenohemi dhe kryelartësohemi, të përparimit të notit. Duhet t’i njohësh ata, që të arrish në këto përfundime.

Është mision ky i imi, që quhet i mundur për aq kohë, sa mëndja dhe dora janë në binom të përkryer pune. Lus Zotin, që të ma ruajë sa më gjatë këtë binom, i bindur se mund të shërbejë akoma më shumë dhe më më vrull sa deri tash.

Kam shkruar jo pak, për të besuar se do të shkruajë edhe më shumë, për të mbajtur gjallë të gjallët e tyre. Është detyrim. Është edhe amanet. Sigurisht kështu do të ndodhë.

Bujar Qesja
Durrës: 17 maj 2023

Në foto, në vijën e dytë nga e djathta: Ilmi Kapllani (nuk jeton), Skënder Kurani (nuk jeton), Hysen Haxhia (Kitrra), Rasim Rexha, Vlash Dhima dhe Hysen Lika.

Në rradhën e dytë, nga e djathta: ulur Naxhi Stringa (nuk jeton), Shaqir Kapexhiu (nuk jeton), Bernardina Qerraxhia (nuk jeton), Xhavit Bujari (nuk jeton), Spiro Urumi (nuk jeton) dhe Burhan Truma (nuk jeton).
Verë e vitit 1988