Kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiç, ka bërë betimin para Kuvendit Komunal, procedurë kjo solemne për të marrë detyrën si kryetar.
“Unë, Erden Atiç, betohem se do t’i ushtroj kompentencat e mia me nder, besnikëri, me ndërgjegje dhe në pajtim me ligjin në mënyrë që t’i siguroj kushtet për një jetë të qetë”, tha ai në deklaratën e betimit.
Në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale të mbajtura më 23 Prill, Atiç nga Lëvizja Vetëvendosje, fitoi rreth 550 vota ose 66 për qind të votave. Pjesëmarrja në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale ishte 3.47 për qind e trupit zgjedhor.
Gazetarja e Klan News, Blerta Dalloshi Berisha, raportoi më herët se situata atje është e qetë.
“Situata vazhdon të jetë e qetë, nuk ka ndonjë paralajmërim për ndonjë protestë apo ndonjë paralajmërim të qytetarëve megjithatë Policia e Kosovës dhe KFOR janë të pranishëm këtu dhe po kujdesen për sigurinë në këtë pjesë të Mitrovicës, konkretisht afër objektit të Kuvendit Komunal të Mitrovicës”, raportoi ajo.
Përveç Atiç, sot pritet që të zgjidhet edhe nënkryetari i komunës. Ndërkohë më herët, pak para nisjes së seancës solemne, jashtë godinës së komunës u vendos flamuri i Republikës së Kosovës.
Siç tha kryetari i Kuvendit të Mitrovicës së Veriut, Nexhat Uglanin, simbolet e shtetit të Kosovës janë të vendosura edhe brenda ndërtesës së komunës.






