Irani ka lëshuar me sukses një raketë balistike me rreze deri në 2 mijë kilometra, njoftuan të enjten mediat shtetërore, dy ditë pasi shefi i forcave të armatosura të Izraelit përmendi mundësinë e ndërmarrjes së veprimeve ndaj Teheranit për shkak të programit të tij bërthamor. Irani ka një ndër programet më të mëdha me raketa në Lindjen e Mesme, dhe thotë se armët e tij janë në gjendje të godasin bazat në rajon të Izraelit dhe të Shteteve të Bashkuara.

Televizioni shtetëror iranian transmetoi disa sekonda nga ajo që duket se është prova e lëshimit të raketës balistike të përditësuar Khoramshahr 4. Raketa ka një rreze deri në 2 mijë kilometra dhe mund të mbajë mbushje me peshë 1500 kg.

Me gjithë kundërshtimet e Shteteve të Bashkuara dhe të vendeve evropiane, Republika Islamike ka deklaruar se do ta zhvillojë më tej programin e saj të “mbrojtjes” me raketa.

Agjencia shtetërore e lajmeve IRNA tha se raketës me karburant të lëngshëm do t’i vihet emri i ri “Kheibar”, sipas emrit të një kështjelle izraelite të marrë nga luftëtarët myslimanë në fillimet e islamit. Sipas IRNA-s, raketa e prodhuar në vend bëhet gati për nisje në një kohë të shkurtër, duke qenë kështu jo vetëm një armë strategjike, por edhe taktike.

“Në kuadrin e rritjes së kapaciteteve me raketa të Republikës Islamike të Iranit, paraqesim sot raketën e re strategjike balistike Khoramshahr 4, që është një version i përditësuar i raketave të mëparshme. Një nga tiparet dalluese të kësaj rakete është se shmang radarët dhe mund të penetrojë përmes sistemeve të mbrojtjes ajrore të armikut”, tha në Teheran të enjten Ministri iranian i Mbrojtjes, Gjeneral Mohammad Reza Gharaei Ashtiani.

Izraeli, ekzistencën e të cilit nuk e njeh Republika Islamike, e konsideron Iranin si një kërcënim për ekzistencën e tij. Irani thotë se raketat e tij balistike janë një masë e rëndësishme parandaluese dhe një forcë ndëshkimore ndaj Shteteve të Bashkuara, Izraelit dhe kundërshtarëve të tjerë të mundshëm në rajon.

Të martën, gjenerali më i lartë izraelit përmendi mundësinë e ndërmarrjes së veprimeve ushtarake kundër Iranit, ndërkohë që përpjekjet e gjashtë fuqive botërore për të rikthyer marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 kanë ngecur që nga shtatori, ndërsa Perëndimi ka shqetësime për përparimin e përshpejtuar bërthamor të Teheranit.

Marrëveshja, nga e cila u tërhoq Uashingtoni në vitin 2018, vendoste kufizime ndaj aktiviteteve bërthamore të Iranit duke e zgjatur kohën që i nevojitet Iranit për të prodhuar material të mjaftueshëm bërthamor për një armë bërthamore, nëse do të vendoste të vepronte kështu. Irani mohon se po përpiqet të prodhojë armë bërthamore./VOA