Amerika ende nuk e ka emrin e fituesit të Presidencialeve. Në rrugën drejt 270 votave të nevojshme elektorale për kreun e Shtëpisë së Bardhë, Joe Biden është më pranë se rivali Donald Trump, me 264. Pas fitoreve në Miçigan e Uiskonsin, kandidatit demokrat mjafton të sigurojë Nevadën ku është në avantazh. Tashmë atij i duhen vetëm 6 zgjedhës të mëdhenj. Për të mësuar emrin e presidentit të 46-të të Shteteve të Bashkuara duhet të pritet për përfundimin e plotë të procesit të numërimit të votave, përfshirë të atyre me postë.
Numërimi ende nuk është mbyllur në Xhorxha, Karolinën e Veriut apo Pensilvani ku në këtë të fundit kryeson Donald Trump, i cili pretendon mandatin e dytë presidencial por deri tani ka vetëm 213 vota të Zgjedhësve të Mëdhenj, çka e largon nga rikonfirmimi.
Por ndërsa Joe Biden bën thirrje për durim duke kërkuar numërimin e çdo vote, presidenti Donald Trump flet për manipulime e kërcënon t’i drejtohet Gjykatës së Lartë. Stafi i kandidatit demokrat i quan “skandaloze” këto akuza e paralajmëron kreun e Shtëpisë së Bardhë se “do të përballet me humbje turpëruese nëse për zgjedhjet shkon në gjykatë”.