Gjykata e Apelit ka dënuar me 33 vjet burg për Sofokli Shanin, 58-vjeçarin i cili në qershor të 2021 vrau me armë zjarri Rako Qorrin dhe plagosi djalin e tij 31-vjeçar.
Krimi ndodhi në fshatin Fier i Ri në Lushnje. Babë e bir u qëlluan me breshëri kallashnikovi në ambientet e lokalit që kishin në pronësi, pasi refuzuan t’i jepnin alkool autorit.
Njoftimi i Gjykates:
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lushnjë me vendimin nr. 399 (2380), datë 16.12.2022 ka vendosur:
- Deklarimin fajtor të të pandehurit S.Sh, për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, parashikuar nga neni 79/dh i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite, dënimin e tij me burgim të përjetshëm.
- Deklarimin fajtor për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga neni 278/1 i Kodi Penal dhe dënimin me 6 (gjashtë) vjet burgim.
3. Deklarimin fajtor për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga neni 278/3 të Kodi Penal dhe dënimin me 1 (një) vit e 6 (gjashtë) muaj burgim.
4. Në aplikim të nenit 55 të Kodit Penal, në bashkim të dënimeve, i pandehuri Sofokli Shani dënohet me burgim të përjetshëm.
Në përfundim të gjykimit, më datë 30.05.2023, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Relator Gjyqtar z. Valbon Çekrezi dhe anëtare znj. Edlira Petri dhe z. Fatri Islamaj, vendosi:
– Lënien në fuqi të vendimit penal nr. 399/2380, datë 16.12.2022, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lushnjë për sa i përket:
– Deklarimit fajtor të të pandehurit Sofokli Shani për kryerjen e veprës penale të parashikuar nga neni
79/dh i Kodit Penal.
– Deklarimit fajtor të të pandehurit S.Sh dhe masës së dënimit të dhënë për veprën penale të parashikuar nga neni 278/1 te Kodit Penal;
– Deklarimit fajtor të të pandehurit Sofokli Shani për kryerjen e veprës penale të parashikuar nga neni 278/3 i Kodit Penal;
-Disponimit mbi provat materiale, vuajtjes së dënimit dhe disponimet për shpenzimet procedurale.
-Ndryshimin e vendimit penal nr. 399/2380, date 16.12.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lushnjë në pjesën tjetër si me poshtë:
-Dënimin e të pandehurit S.Sh në bazë të nenit 79/dh te Kodit Penal me 30 (tridhjete) vjet burgim.
-Në zbatim të nenit 55 te Kodit Penal, në bashkim të dënimeve, dënimin përfundimisht të të pandehurit Sofokli Shani me 33 (tridhjete e tre) vjet burgim.