Këtë të mërkurë në Bratislavë është mbledhur Forumi i Sigurisë. Në kuadër të këtij forumi u zhvillua dhe konferenca e “Open Roads Balkans Back in Business”, që ka në fokus ekonominë e vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor.
I pranishëm në panel ishte dhe kryeministri i vendit Edi Rama. Ai foli me shifra sa i takon paketave financiare që BE u ka dhënë 6 shteteve të Ballkanit Perëndimor nga viti 2020.
Por, kreu i qeverisë thekson se këto fonde krahasuar me ato që marrin shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, janë shumë më të pakta.
“Ka një hendek të jashtëzakonshëm mes shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe shteteve tona të Ballkanit Perëndimor. Në periudhën 2020-2021 dy paketa shumë të mëdha u dhanë për rimëkëmbjen nga BE, plot 47.5 miliardë dhe 672 miliardë për shtetet anëtare. Ndërkohë që për ne u dha 1 miliard euro për të 6-të ne, nga të cilat 500 milionë në grante dhe 500 milionë hua. Për problemin tonë të përbashkët të energjisë nga të cilat Shqipëria mori 85 milionë, ishin një rishpërndarje e fondit të IPA-s . Pra praktikisht ajo çfarë duhet të merrnim për projekte të caktuara u riorientuan në këtë kontribut të drejtëpërdrejtë, nuk po them se nuk është diçka e mirë, por ishte thjesht një rishpërndarje. Dhënia e granteve nga BE për shtetet anëtare në Evropën Juglindore do jetë 11-fish më e madhe krahasuar me Ballkanin Perëndimor. Fondet e IPA-s janë 90% ndihmë teknike dhe 10% investime, ndërkohë fondet e kohezionit janë 92% investime dhe 0.3% ndihmë teknike dhe për momentin pika e fundit me shifra është se fondet e dhëna nga buxheti i BE-së për vendet e Evropës Lindore janë 138 euro për qytetar dhe 4570 euro për qytetarët europianë të vendeve anëtare”, deklaroi ai.
Rrugën e anëtarësimit në BE të Shqipërisë, Rama e cilësoi të gjatë. Ai shtoi më tej se ndërkohë, BE duhet të bëjë ndryshime thelbësore për financimin e Ballkanit Perëndimor.
“Kjo është situata ku gjendemi dhe kjo është arsyeja pse ne mendojmë se ky është një problem jetë a vdekje për ne. Natyrisht procesi i negociatave kërkon kohë dhe jam i bindur se nuk duhet nxituar, por na duhet të marrim diçka më shumë, duhet të ndryshojë diçka në mënyrë thelbësore nëse nuk duan të shohin BP të kthehet pas sërish”, përfundoi kryeministri.