Asnjë kontratë porosie apo blerje e qytetarëve në pallatet e sekuestruara si ndërtime pa leje, të cilat janë regjistruar në kadastër pas konstatimit të paligjshmërisë së objektit, nuk do të njihet nga qeveria.

Në mbledhjen e së mërkurës Këshilli i Ministrave ka miratuar projektligjin për administrimin e objekteve të konfiskuara si ndërtime pa leje.

Në draft thuhet se destinacioni i këtyre objekteve do të përcaktohet nga një komision i posaçëm shtetëror, i cili do të ketë në përbërjen e tij 9 anëtarë, përfaqësues nga Kryeministria, disa ministri dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës.

Komisioni i sipërpërmendur të vendosë nëse objekti i sekuestruar do të mbahet nga shteti për nevojat e institucioneve publike, do të përdoret për qëllime të strehimit social apo do të shitet në ankand.

Qeveria ka bërë një ndryshim të minutës së fundit në rastin e shitjes dhe ka përcaktuar se të drejtën e parablerjes fillimisht e kanë pronarët e truallit mbi të cilin është ndërtuar objekti pa leje. Në rastin kur pronarët nuk duan ta blejnë sipërfaqen e ndërtuar mbi lejen, atëherë në radhën e dytë të blerjes janë qytetarët që kanë nënshkruar kontrata porosie me ndërtuesit. Kur edhe këta nuk pranojnë ta blejnë, vetëm atëherë i vjen radha ndërtuesit.

Nëse edhe ndërtuesi e refuzon blerjen, pallati i sekuestruar shitet në ankand publik sipas përcaktimeve të ligjit për ankandet. Vlera fillestare me të cilën prona del në shitje përcaktohet nga vlera e tregut që referohet nga INSTAT ose Agjencia Shtetërore e Kadastrës. Nëse ankandi dështon, çmimi i tij në raundin e dytë nuk ulet, por mbetet sërish i njëjtë.

Qeveria ka marrë përsipër të njohë të drejtat e pronarëve të truallit, vetëm për pjesën e objektit që është ndërtuar sipas lejes. Për shtesën në tejkalim të lejes, pronarëve të truallit nuk u njihet asnjë e drejtë, përveçse u ofrohet parablerja.

Për qytetarët, të cilët kanë nënshkruar kontrata porosie më ndërtuesit dhe kanë paguar para për të porositur apartament, kjo kontratë do të njihet vetëm nëse është regjistruar në Kadastër përpara konstatimit të paligjshmërisë së objektit nga institucionet shtetërore.

Kur kontrata është regjistruar pas konstatimit të paligjshmërisë, qytetarëve nuk u njihet asnjë pagesë. Edhe kur kontrata e porosisë është regjistruar përpara konstatimit të paligjshmërisë dhe sekuestrimit të objektit, qytetarëve u njihet si shpenzim vetëm pjesa proporcionale për të cilën janë kryer punimet nga ndërtuesi.

Më konkretisht: nëse qytetari ka paguar 100 mijë euro tek ndërtuesi për të porositur një apartament, por ndërtuesi e ka lënë objektin të papërfunduar, atëherë shteti do të njohë si pagesë të qytetarit vlerën e apartamentit të papërfunduar sipas vlerësimit që do të bëjnë ekspertët.

Kur vlera e apartamentit të papërfunduar është më e ulët se pagesa që ka kryer qytetari, qeveria nuk mban asnjë përgjegjësi, por qytetari duhet t’i kërkojë mbrapsht ndërtuesit diferencën e parave.

Në rastin e objekteve të sekuestruara, por që nuk janë përfunduar ato do të financohen nga shteti deri në përfundimin e plotë sipas vendimit të marrë nga Komisioni.