Gjykata e Posaçme e Apelit ka shpallur vendimin për Fredi Belerin dhe Pandeli Kokaveshin. Gjyqtarët kanë vendosur të lenë në burg Fredi Belerin, ndërsa Pandeli Kokaveshit i ndryshohet masa në detyrim paraqitje.
Gjatë seancës, avokatët kanë depozituar edhe prova të reja përsa i përket gjendjes shëndetësore të dy personave të dyshuar. Kokaveshi përveç raporteve mjekësore kërkoi ndryshim mase edhe për shkak të fëmijës së mitur. Ndërsa avokatët e Fredi Belerit insistojnë që nuk ka prova.
Fredi Beleri dhe Pandeli Kokaveshi u arrestuan 2 ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit, pas një hetimi të nisur nga Prokuroria e Vlorës në datën 8 maj me dyshimet se shtabi elektoral i kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” po shpërndante para në këmbim të votave.
Beleri ka mohuar akuzat dhe e ka konsideruar hetimin ndaj tij sulm politik. Për arrestimin e tij ka reaguar disa herë Athina zyrtare.