ISIS ka marrë përgjegjësinë për sulmin terrorist të ndodhur një natë më parë në Vjenë ku si pasojë kanë humbur jetën 4 persona dhe janë plagosur 17 të tjerë.

Në një deklaratë për mediat Shteti Islamik të shoqëruar me një fotografi të një burri me emër “Abu Dagnah Al-Albany”, thotë se ai ka sulmuar turmat e njerëzve në qendër të Vjenës, para se të vritej nga policia austriake.

Autori 20-vjeçar ka sulmuar me një armë dhe një automatik turmën e qytetarëve në Vjenë, ku më pas dhe është vrarë nga policia austriake.

Ndërkohë një vit më parë 20-vjeçari ishte dënuar për përpjekjen për t’u bashkuar me grupin në Siri, por u lirua në dhjetor, pasi mashtroi autoritetet duke respektuar një program deradikalizimi.

Ndërkaq shqiptari nga Tetova kishte premtuar besnikëri ndaj ISIS në një postim në Instagram disa orë para ngjarjes.