Prokurorët e Milanos kanë nisur hetimet për një grabitje banke të stilit hollivudian. Një bandë grabitësish të armatosur kanë depërtuar në një bankë në Milano duke u futur përmes një rrjeti kanalizimesh dhe kanë vjedhur disa kasaforta pasi u larguan në të njëjtën mënyrë.
Grabitja e planifikuar me kujdes filloi pak pas orës 8.30 të martën, kur dy nga grabitësit hynë në hyrjen kryesore të një dege të Crédit Agricole në Piazza Ascoli dhe kërcënuan me armë stafin, raportuan mediat italiane. Dy bashkëpunëtorë më pas dolën nga një pusetë në bankë që lidhet me një tunel nëntokësor.
Banda u përlesh me menaxherin e bankës, i cili bërtiti “është grabitje”, dhe mbajti peng atë dhe një anëtar tjetër të stafit, ndërsa dhjetëra oficerë policie rrethuan bankën. Një punonjës i tretë arriti të shpëtojë.
Policia izoloi zonën para se të hynte në bankë, por grabitësit aktivizuan një fikës zjarri, duke krijuar konfuzion dhe duke u dhënë atyre kohë për të shpëtuar përmes kanaleve. Disa oficerë thuhet se i ndoqën ata në kanalizime, por i humbën.
Grabitësit morën 20 kasaforta, por nuk është ende e qartë se çfarë përmbajnë ato.
Menaxheri i bankës thuhet se u godit në kokë me qytën e armës, por asnjë personel tjetër nuk u dëmtua. Duke folur para reporterëve jashtë bankës, menaxheri tha: “Ata hynë nga bodrumi. Ishim tre veta brenda kur kuptova se çfarë po ndodhte dhe bërtita. Pati një sherr të shkurtër por ata nuk më rrahën.”