Francës nuk i duhet të përballet vetëm me pandeminë në këtë periudhë por edhe me ekstremizmin islamik. Pas disa sulmeve në qytete të ndryshme të vendit ku deri tani janë regjistuar 5 viktima, ka ardhur edhe një reagim kërcënues nga organizata terroriste Al Keada e Magrebit Islamik (AQMI).

Ata thonë se është detyrë e çdo myslimani të vrasë këdo që fyen Profetin Muhamed dhe kërcënojnë me hakmarrje presidentin e Francës Emanuel Makron sepse mbrojti të drejtën e publikimit të lirë të karikaturave.

“Të vrasësh këdo që fyen profetin është e drejta e çdo myslimani të aftë ta bëjë këtë,” thuhet në deklaratën e AQMI.

Dy javë më parë, në Paris iu pre koka një profesori nga një çeçen sepse ai u kishte treguar studentëve të tij, karikaturat e Profetit Muhamed të botuara në revistën “Charlie Hebdo”.

Macron tha se Franca, në emër të lirisë së shprehjes, nuk do të hiqte dorë nga karikaturat, duke provokuar një valë reagimesh në botën myslimane. Dhjetëra mijëra njerëz kanë protestuar kundër Francës në ditët e fundit në shumë vende arabe dhe myslimane. Disa dogjën flamuj francezë dhe  portrete të presidentit francez, ndërsa janë bërë propozime për bojkot të produkteve franceze.

“Bojkoti është një detyrë, por nuk është e mjaftueshme,” shkroi AQMI, duke u bërë thirrje mbështetësve të saj “të hakmerren”, ndërsa e paraqitën si “dëshmitar” çeçenin ekstremist që vrau Samuel Paty.