Një 31-vjeçare është arrestuar nga policia pasi në bashkëpunim dhe me një tjetër person i kanë marrë 10 mijë euro një 49-vjeçari nga Malësia e Madhe duke i premtuar se do të shkonte në Kanada.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, pas kallëzimit nga një shtetas, për një rast të marrjes së parave me anë të mashtrimit, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Premtimi”, si rezultat i të cilit u bë ndalimi i shtetases A. Ll., 31 vjeçe dhe u shpall në kërkim shtetasi S. Gj., 34 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Këta dy shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se i kanë marrë shumën 10 000 euro, shtetasit B. Gj., 49 vjeç, banues në Malësi të Madhe, duke i premtuar se do ta ndihmonin atë që të shkonte në Kanada.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.