Nga BUJAR QESJA
11 qershor 2023! 23 veta janë pjestarë të një gostie të veçantë. Në “Vilën Petani”, pronë e Artanit, të djalit të mikut tonë të madh Vasil Petanit, buzë detit ka gëzim. 90-të vite më parë, me 11 qershor 1933, u lind një foshnje, historia e të cilit do të lidhej me detin, me notin. Quhet Mirban Kadiu.
Patrioti Sulejman Kadiu, që aso kohe jetonte në Bari të Italisë, bindi të shoqen që fëmija të lindej në Durrës. Në ujrat neutrale, në mes të “Adriatikut”, dëgjohet e qara e një foshnje. Është djalë. Lindi në det dhe deti mbeti zanati i tij i përjetshëm. Emri iu vendos, Mirban. Në familjen e Sulë Kadiut, dy fëmijë para djalit të tanishëm, nuk kishin mundur të mbijetonin. Dhe biri i detit u quajt shqip: Mirban.
Tamam 90-të vite më pas, po në buzë të detit, do të mblidheshin njerëz të detit, për të festuar ditëlindjen e djalit të ujit Mirban Kadiut. Njerëzia e kishte më për mbarë ti thërriste Boni. Me 28 nëntor 2018, ky Boni ynë na dëshpëroi.
Mbylli sytë përgjithnjë, por la të hapur sytë e mëndjes dhe të memories për t’a kujtuar aq thjeshtë, aq mrekullisht, aq kënaqësisht, aq pastër dhe bukur. Janë 90-të vitet e lindjes të një notari, të një njeriu, të një krijese me cilësi të bekuara, që në Durrës cilësohet si një ndër perandorët e perandorisë historike të notit durrsak. Dhe ky Mirban, mirë bani sa kohë mbajti sytë hapur dhe tani kremtojnë krenarinë dhe namin e mirë që la.
Nuk do të merrem në këtë shkrim, se cili ishte Mirban Kadiu. Njihet mirë gjithçka i dha notit dhe shoqërisë. Njihet për 38 medaljet e fituara, duke i përplasur fort këmbët dhe duart në ujë që në moshën 12 vjeçare. Me këto 38 medalje, fitoi titullin e pashkruar por të vendosur nga popullit: Gjenerali i medaljeve.
Dhe ky gjeneral, i fitoi gradat në 72 vite kontakte me ujët, duke ngjitur shkallët e konkurencës fituese me përkushtime të mëdha. Nuk do të flas se ka shumë tituj, shumë trofe “Mjeshtër i Merituar i Sportti”, mbreti i ujit, floriri i notit, gjigandi dhe madhështia e notimit, nderi dhe krenaria e notit, mirënjohje pa fund, fletë lavdërimi dhe diploma që nuk numërohen.
Lulzim Gjuzi, dhëndërri i tretë i Bonit, më vendos në tavolinë një kuti plastike, që mezi e mbanin dy veta.
-Të kam sjellur ti shikosh medaljet dhe çfarë ka merituar Bon Kadiu, në jetën që i kushtoi notimit. Kam menduar t’i dorëzoj ty gazetari ynë, që aq shumë të donte më shumë se vëlla Boni. Të vlerësonte për punën e jashtëzakonshme që bën për Durrësin dhe dursakët. E kam edhe amanet. Ke dhe këtë ekspozitë. Nuk mbahet. Peshë e rëndë jeta dhe puna e madhe që kreu njeriu ynë i familjes, njeriu i mirë dhe fisniku i Durrësit Bon Kadiu.
Nuk do të shkruaj se sa rekorde, sa gara është hedhur, kë kishte shokë dhe shoqe të notit, me kë konkuroi dhe bashkëpunoi, çfarë kërkonte që noti të zhvillohej, dëshirat për ta parë qytetin e tij sa më mirë dhe sa më lart. Kam shkruar shumë këtu dhe s’kemi lënë gjë pa zbuluar. Më pëlqen të nënvizoj emocione të çastit dhe përfundime të rëndësishme që vlejnë.
Bon Kadiu nuk ishte thjesht notar. Largimi i tij nga jeta, na dogji shumë. Nuk kemi tjetër me cilësitë e tij, madje as sa çereku. Po e nënvizoj me zë të lartë, që Mirban Kadiu është historiani i notit shqiptar. Trashigimia e tij historike është e përmasave më të mëdha se çmendohet. Ky njeri i artë, iu fal ujit duke çfaqur një fizik tërheqës, që vetëm skulptori me emrin det mund t’ia skaliste.
Fiziku i tij u dëmtua rëndë, me largimin nga jeta të bashkëshortes së shtrenjtë Eftimisë, ndonëse të tre vajzat njëra më e bukur se tjetra, njera më e mirë se tjetra Blerina, Edlira dhe Fatbardha dhe dhëndurrët e mrekullueshëm Artan Jorgji, Dritan Xhija dhe Lulzim Gjuzi nuk e lanë vetëm. Më tërheqin vëmëndjen, emrat me përmbajtje të pastër shqiptare të vajzave, por edhe të djemve që lidhën jetën. Kjo është familja, mrekullia mbi mrekullitë, që krijoi burri i madh i Durrësit Mirban Kadiu.
Kam të drejtë në këtë këmbënguljen time, që të mos merrem me shifra dhe rrugën sportive të Bonit. E kam thënë, e stërthënë mjaft herë. E kam shkruar, e stërshkruaj me dhjetra e dhjetra herë. Bon Kadiu dhe unë, kemi qenë si Bon Kadiu dhe deti. Binom me bekimin me dashurin për Durrësin dhe durrsakët, me bekimin e cilësive më të larta qytetare që i bën nder cilitdo që i manifeston ato.
Bon Kadiu ishte prerje e zgjedhur nga Zoti. I bukur, elegant, me komunikim tërheqës, ku nxirrte fjalë të arta nga goja. Uji i detit kurrë nuk e fshehi trupin e tij gjigand, pasi ai dilte gjithnjë fitues.
Më kujtohen ditët e fundit të jetës. Përballë Gjykatës së qytetit është një kafe, ku frekuentohet nga vendalitë.
Boni ynë, i bukuri i dheut, pasi karikonte bombulën me oksigjen, që mund t’ia mbante frymëmarrjen për 120 minuta, duke rrezikuar jetën, fliste e fliste me durrsakët. Nuk mund të kaloje andej, se të zinte pritë Boni ynë i paharruar dhe do të nxirrte nga shpirti i tij fjalët të arta dhe nxitëse. Edhe pak jetë të mbetur do t’ia falte të afërmeve, miqve, shokëve dhe sidomos dashurisë së përjetshme notit.
Nuk mund të kuptohej Bon Kadiu pa humorin që nuk i mbaronte, pa ato shakatë plot kripë dhe që nuk keqkuptoheshin. Ai mbetet edhe shpikësi i peshqirit të artë, që me thënë të drejtën, i kishte rrëshqitur vëmëndjes time. Dhe do ta tregoj këtë historinë e peshqirit, pasi u diskutua me 11 qershor 2023, në këtë ditë të veçantë të 90-të vjetorit të lindjes.
Ajo e kësaj dite nuk ishte thjesht gosti, por memorie kushtuar Bonit. Nuk mund të mungonte 83 vjeçari, emblematiku i notit Niko Kurani, nxënsi i tij “Mjeshtër i Madh” Petrit Guma, të mëdhenjtë e tjerë vlonjatët Pavllo Kisi dhe Ilir Kreshpa, kolosi i shpinës shkodrani Emin Lishi, motoskafi i ujit Sadik Mema, i arti i notimit dhe i drejtimit Sul Poda dhe me rradhë të shquarit e notimit Jani Kurti, Niko Pema, Met Kikrri, Artan Zhupa, Luan Rexha, pasionanti i garave Murat Gjuzi, sekretari më jetgjatë i klubit shumësportesh “Teuta” Anesti Petani, shkrimtari Shpend Topollaj, regjisori dhe krijuesi Haxhi Rama.
Prezenca e “Nderit të Kombit”, djalit durrsak Mirush Kabashi, e ngarkoi më shumë emocionalisht 90-të vjetorin e Bon Kadiut. Mirushi i “çmëndur” pas garave maratonë duke notuar me kilometra, aq sa në një rast rrezikoi shumë, nuk mund të mos e kujtonte mikun e tij të madh, njeriun e mrekullueshëm Bon Kadiu.
Kur pashë të qeshnin me të madhe, Mirushi, Haxhi Rama, vajzat e Bonit Edlira dhe Fatbardha, Lul Gjuzi dhe Tan Xhija mësova arsyjen.
Në garat diku nga vitet 60-të, një rekord shoqërohej me stimul material. Po të përmirësoje disa rekorde kombëtare brenda ditës dhe në vijim, mund të arrihej të merrje deri në 40 mijë lekë shpërblim. Finoku Bon, mënçuria Bon, bëri shpikjen e rrallë. Kishte lënë një person me peshqir në dorë, i cili duhej të sinjalizonte kohën e notimit. Po të ishte në avancë në kohë, peshqiri rrotullohej djathtas, për të ulur ritmin se ishte mirë. Kur rrotullohej majtas, duhej t’i shtonte lëvizjet. Dhe kur mbahej në pozicion vertikal, ishte normal. Një mënyrë kjo e Bonit, për të fituar disa të holla më shumë.
Historiani Bon Kadiu, pak njihet që është kështu. Janë me qindra foto që ka lënë. Njëra me e bukur se tjetra. Janë personazhe të njohura. Fotot janë të hershme dhe të tjera nisin, që me Olimpiadën e famshme të Splitit në vitin 1946. Histori e shkruar dhe e argumentuar me pamje. Janë me dhjetra e dhjetra disqe, kaseta VHS në të cilat janë regjistruar pamje filmike, që janë arkivë e jashtëzakonshme e historisë së notit.
Shansi i madh është se Boni notoi mbi ujë, sa ishte me frymë dhe ne na duhet të notojmë mbi detin e madh të historisë së notit duke e ruajtuar atë. Ndihmesë e jashtëzakaonshme. Tradita dhe trashigimia përcillen në breza. Tjetër shkak, për të mos e harruar këtë të jashtëzakonshëm të notit dhe historisë së tij.
Presdienti i FSHN-së Agim Çiraku, i jep pllakën “Nderit i Notit Shqiptar”. Sadik Mema në emër të Shoqatës Kombëtare të Veteranëvë të Notit Shqiptar, i dhuron kujtimit të Bonit Kupë dhe “Çertifikatë Mirënjohje”. Shokët e notit, i dhurojnë kujtime e kujtime që nuk shteren. Bon Kadiu lindi në det, detit i kushtoi tërë jetën, aq sa edhe librit që botoi i vendosi tullin “Unë dhe Deti”.
Falenderime vajzave dhe bashkëshorteve të tyre, që ia festuan Bon Kadiut 90-të vjetorin e lindjes!. Mirënjohje miqve dhe shokëve, që e nderuan dhe e respektuan këtë figurë të artë të sportit dhe në veçanti të notit! Gjithnjë në gëzime u mbledhshim!
Me 11 qershor 2023, ishte ringjallja e Mirban Kadiut, në 90-të vjetorin e lindjes. Jam i sigurtë, sa të kemi frymë, emra mbreslënës në përmasa historike si Bon Kadiu, do t’i kujtojmë gjithnjë. Ai që kujtohet, nuk harrohet. Këtë e thotë urtësia dhe kjo sigurisht duhet përkrahur.
Jetë të gjatë në memorien tonë Mirban Kadiu!
Bujar Qesja
Durrës: 12 qershor 2023