Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha më 16 qershor në Bruksel, se aleanca do të forcojë lidhjet politike me Ukrainën në samitin e muajit të ardhshëm, por se tani për tani “nuk bëhet fjalë” për një ftesë për anëtarësimin e Kievit na aleance, raportoi AFP.
“Ne nuk do të diskutojmë për ftesë (në NATO) në samitin në Vilnius (më 1 dhe 2 korrik), por për atë se si mund ta afrojmë Ukrainën me NATO-n”, tha Stoltenberg.
Ai shtoi se është “i bindur se vendet anëtare do të gjejnë një zgjidhje të mirë dhe konsensus”.
Më 15 dhe 16 qershor, në Bruksel u mbajt takimi ministror i NATO-s, në të cilin marrin pjesë ministrat e mbrojtjes të vendeve anëtare.
Si gjest simbolik, udhëheqësit e Aleancës synojnë të mbajnë takimin e parë të Këshillit NATO-Ukrainë me presidentin Volodymyr Zelensky, në kryeqytetin e Lituanisë, tha Stoltenberg.
Samiti i NATO-s do të mbahet në Vilnius më 1 dhe 2 korrik.
Kjo lëvizje përfaqëson një përmirësim në lidhjet politike dhe do t’i japë Kievit një vend më të barabartë në tryezë “për t’u konsultuar dhe vendosur për çështjet e sigurisë”, tha Stoltenberg.
Vendet anëtare të e NATO-s nuk kanë ende qëndrim të unifikuar lidhur me kërkesën e Ukrainës për t’u bashkuar me Aleancën kur të përfundojë lufta, e cila ka nisur me pushtimin rus të Ukrainës, në shkurt të vitit 2022.
Vendet e NATO-s në Evropën Lindore, janë angazhuar për një udhërrëfyes më të mirë të anëtarësimit për Ukrainën.
Megjithatë, aleatët kryesorë, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Gjermania, nuk duan të shkojnë shumë më tej sesa një premtim i paqartë i vitit 2014, se Ukraina një ditë do t’i bashkohej aleancës, raportoi AFP-ja.
Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, sugjeroi më 16 qershor, se është e mundur që disa kërkesa të anëtarësimit mund të lehtësohen, nëse Ukraina, në fund, është e gatshme të bashkohet.
Vendet e NATO-s i kanë dorëzuar Ukrainës armë me vlerë dhjetëra miliarda dollarë që kur Moska nisi një pushtim të gjithanshëm shkurtin e vitit të kaluar.
Stoltenberg kërkon, gjithashtu, që vendet anëtare të NATO-s të angazhohen për një pako ndihme shumëvjeçare, për ta sjellë Ukrainën më afër standardeve të Aleancës.
Pa marrëveshje për plan në rast të sulmit rus
Ministrat e mbrojtjes të NATO-s nuk arritën një marrëveshje mbi planet e reja se si t’i përgjigjen sulmit rus, ndërkaq një diplomat fajësoi Turqinë për pengimin e tyre, raportoi Reuters.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se ministrat diskutuan planet, të parat që nga fundi i Luftës së Ftohtë dhe se po i afrohen një marrëveshjeje.
Megjithatë, siç raportohet nga Reuters, një diplomat tha se Turqia e bllokoi vendimin, për shkak të formulimit të vendndodhjeve gjeografike, duke përfshirë Qipron. Ai shtoi se ende është e mundur të gjendet një zgjidhje përpara samitit të NATO-s në Vilnius./ REL