Emina Cunmulaj ka rrëfyer periudhën e vështirë kur u largua nga familja për të ndjekur ëndrrën për t’u bërë modele në Itali.
Modelja në podcastin e Ramës tregoi se në moshën 15-vjeçares jetonte e vetme në Itali dhe nuk kishte bukë të hante.
Ajo u shpreh se shkonte të flinte pa ngrënë dhe barku i dhimbte nga uria.
“Vetë bukë s’kam pasur të ha kur kam qenë 15 vjeç në Itali e më telefononte babai e më thoshte, “si je, bija ime?’’
-Mirë- i thosha- babë. Gjithçka në rregull. Shkoja të flija, barku më dhimbtë. Shkoja të flija e çohesha natën. M kishin dhënë 200 lira në atë kohë për t’i harxhuar për tre javë ditë, për të marrë metronë, për të ngrënë dhe për shkuar për të kërkuar punë si modele”, rrëfeu Emina Cunmulaj.
Ky është episodi i 11-të i podkastit “FLASIM” dhe përballë meje është një ndër shqiptaret më të gjata dhe më e gjata që kam takuar prej shumë kohësh, kaq e gjatë saqë tavani i shtëpisë në Tuzin e Malit të Zi, është bërë shpejt shumë i ulët, pastaj tavani i Europës është bërë prapë i ulët dhe ka dalë në gjatësinë e vetë, në anën tjetër të oqeanit, në Florida, ku aktualisht është duke pritur edhe konfirmimin si “Konsulle e nderit e Republikës së Shqipërisë”, Emina Çunmulaj.
Vajza e pasarelave të para dhe fotografive breathtaking sepse po flisnim që mund dhe në momente të caktuara të flasësh anglisht, po fotografive frymëmbajtëse që pastaj kaluan në “Vogue”, në Harper’s Bazaar e të tjerë. Ti ke lindur në…., me “ti” flasim, right?!
Emina Çunmulaj: Po, patjetër.
Kryeministri Edi Rama: Ti ke lindur në USA dhe pastaj je rritur në Mal të Zi. Këtu fillon kurioziteti.
Emina Çunmulaj: Pikë së pari, mirë se ju gjeta! Faleminderit për ftesën! Është kënaqësi. Jam lindur në Amerikë, në Shtetet e Bashkuara, jam rritur në Jugosllavi të asaj kohe, Mali i Zi, në rrethinën e Tuzit, në një fshat të vogël, quhet Nënhelm dhe aty filloi kjo fëmijëria ime, hapat e parë që më kujtohen.
Kryeministri Edi Rama: Po si ndodhi që linde atje dhe erdhe të qash në Tuz?
Emina Çunmulaj: Mami dhe babi ikën si emigrantë dhe ju dorëzua babit letra e deputetit që të kthehej mbrapa dhe vullnetarisht u kthye. Mami ishte shtatzënë, me tri vajza dhe i tha babit, e ndjej veten se e kam djalë dhe nuk dua që t’ia humb të drejtën djalit që ta ketë pasaportën amerikane. Tha, unë po rri me fëmijët, se kishte të drejtë, e lejonin, dhe tha t’i kthehu. Mbas tre muajve lindi vëllai, siç e kishte menduar ajo dhe pastaj u kthye. Unë isha pothuajse gati 5 vjeç dhe jemi rritur në Jugosllavi, deri në moshën 15 vjeçare kur mora guxim t’u them babit dhe mamit se do bëhem modele.
Kryeministri Edi Rama: Nga erdhi ky guximi atje, në atë fshatin e vogël.
Emina Çunmulaj: Shumë gjëra kanë ndikuar. Sidoqoftë unë deri diku jam rritur me këtë mendim në kokë, se si është e mundur që prindërit e mi, na kanë sjellë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Na kanë dhënë gjithë atë që mundeshin dhe në fund të fundit na kanë kthyer mbrapa në një vend që është “third world country” në atë kohë, edhe nuk mundesha ta besoja që ardhmëria ime është aq e kufizuar sa është gjithë fshati dhe gjithmonë mendoja se do ngel në “footsteps” të mamit tim. Jo se është një gjë e keqe. Mami im ka qenë një grua e jashtëzakonshme. Një nënë e paparë, por gjithmonë kam dashur diçka më të madhe për veten dhe nuk dija se si do ja arrija sepse të gjitha vajzat e fshatit nuk shkonin më shumë se tetë klasë, pothuajse dhe gjimnazi.
Kjo kulturë, ky mentalitet që vajzat duhet të martohen në moshën 15 vjeçare dhe unë i thoja vetes, do bëj gjithçka në botë vetëm të mos përfundoj ashtu. Që në moshën 10 vjeçare unë i thoja mamit, mi jep mua lopët, unë do i sjell lopët në livadh, s’është problem. Më jep mua punë jashtë shtëpie, do e bëj unë, s’është problem. Vetëm mos mësoj të gatuaj, mos mësoj të laj, të fshij se nuk doja të më martonin në moshën 14-15 vjeçare. Ndërkohë, vinin njerëzit më kërkonin dorën. Unë qaja, thoja të lutem mos më martoni dhe e kuptoja që është një moment fiks “silver line” në jetë kur erdhi “Elite model look” në Jugosllavi në atë kohë dhe kërkonin modele. Të gjitha shoqet e mia të shkollës më thonin “You have to be a model!’’. Po ku ta merrja guximin t’i them unë babit që në atë kohë ishte një baba i fortë dhe mamit që kishte frymëzimin, mburrjen e një gruaje myslimane që duhet të prezantohet, duhet të jetë e fortë për familjen e vet, pra t’i thoja mamit dua të bëhem modele.
Mirëpo, babi kishte një argjendari në atë kohë dhe një grua që punonte në argjendari, ka pasur një vajzë që do e sillte në kompeticion. Dhe unë i thashë më ka lënë babi, “dad, sorry”, e gënjeva, por ishte ky momenti që e dija që në qoftë se nuk i marr këto vepra në duart e mia do përfundoj pothuajse si të gjitha vajzat e fshatit. E martuar, me fëmijë në moshën 20 vjeçare dhe ky është “my destiny’’. Dhe e bëra, ika, fitova dhe brenda dy ditëve babi, mami ishin në Amerikë në atë kohë se kishin të drejtë pas 40 viteve t’u jepet ‘’green card’’ edhe u tregova se ka ardhur koha që…., iu kam thënë një gënjeshtër shumë të madhe, por do e dinë gjithsesi se gazetat të nesërmen do të shkruajnë: ‘’Emina Çunmulaj, shqiptarja filloi një karrierë në mes të Jugosllavisë!’’.
Ky ka qenë titulli në përgjithësi. Pastaj u zbut pak situata. Babi tha: Okay, mund të shkosh në Beograd, – se në atë kohë konkursi ishte në Beograd, për të përfaqësuar Malin e Zi në konkursin e Jugosllavisë, – mund të shkosh, por duhet të shkosh me familjarë. S’ka problem i them, vetëm të shkoj dhe kam fituar. Kjo ka qenë një “boom” i madh, kurse për mua kjo ka qenë një “push” aq i madh që i kam thënë vetes, kurrgjë s’ka mundur të vijë ndërmjet meje dhe qëllimit që kam. Dhe kështu nisi karriera. Më dorëzojnë një kontratë worldwide, unë e nënshkrova dhe s’ka pasur kthim më.
Kryeministri Edi Rama: Po ndërkohë je në Florida, në një martesë të lumtur të paktën mesa unë mund të kuptoj sepse kur jemi takuar për herë të parë ka qenë një takim çiftesh edhe “bashkëvuajtësi” jot, duket thellësisht i dashuruar me ty dhe ju dukeni “happily married”, kështu që gjithçka bukur, të paktën në pamjen nga jashtë, nga brenda nuk e di sesa herë ju përplasen mendimet, por megjithatë, edhe pse ai është personazh që ka dhe ai një histori fantastike me familjen, me biznesin, gjithçka është më së miri, ty nuk të rrihet, jo vetëm pa u kthyer, por edhe “pa futur hundët” siç themi ne, deri edhe në zgjedhje. Praktikisht sot, ne kemi mundësinë ta bëjmë këtë bashkëbisedim se ti sapo ke mbaruar një palë zgjedhje në Mal të Zi, ku ke dalë rrugë më rrugë, shtëpi më shtëpi për të kërkuar vota për shqiptarët dhe ke arritur të japësh kontribut në një fitore shumë të bukur me thënë të drejtën, sepse faktikisht është shtuar numri i përfaqësuesve, apo jo, dy deputetë nga një, plus edhe një tjetër, bëjnë tre. Çfarë problemi ke që nuk rri dot rehat, merresh deri edhe me politikë?
Emina Çunmulaj: Po mirë, se s’më le dreqi rehat kanë thënë malësorët. Unë me politikë nuk merrem.
Kryeministri Edi Rama: Jo merresh sepse shkon dhe fut hundët atje. Se njerëzit kujtojnë se të merresh me politikë është vetëm të jesh politikan, është vetëm të jesh deputet, është vetëm të jesh i përzier drejtpërdrejt dhe përditë. Jo, të merresh me politikë është të jesh një qytetar i mirë se nuk e di cili prej presidentëve amerikanë, kam përshtypje Ronald Reagan thoshte: Nuk mjafton një njeri i mirë, për të bërë një qytetar të mirë. Njeriu i mirë është për veten dhe për njerëzit rreth tij, qytetari i mirë është dhe për jashtë pragut të shtëpisë që thotë fjalën apo jep kontributin e tij bashkë me të tjerët”. Kështu që, ti me politikë merresh që ç’ke me atë punë ndërsa si qytetare e angazhuar shkon atje me Nik Gjeloshin dhe ke bërë xheloz gjithë dynjanë duke ndejtur me Nikun, duke bërë fotografi, duke dalë lart e poshtë edhe madje ka dhe zëra…
Emina Çunmulaj: Unë mund të them se jam ambasadore pranë dashurisë që kam për popullin tim. E ndoshta, ky prezantim si ambasadore e dashurisë që kam për vendin tim, kulturën time, traditat shqiptare, ato që kam në gjak mund të shihet si politikë. Por për mua kjo nuk është politikë, kjo është thjesht jeta. Unë jam rritur në atë vend e kur jam rritur vetë në atë vend, as 90% e gjërave që janë sot në Tuz, nuk kanë ekzistuar. Prandaj vetë kam dalë atë ditë, kam dalë edhe para 4 vjetësh dhe do vazhdoj të dal. Jo për politikën, por për atë që është për popullin tim. Ata që e meritojnë, e di se e meritojnë…
Kryeministri Edi Rama: Po politika kjo është, “për popullin tim”.
Emina Çunmulaj: Po kjo është dashuria ndaj popullit tim. Në qoftë se quhet politikë, le të jetë politikë pastaj.
Kryeministri Edi Rama: Në rregull. Shumë mirë. Politikë me dashuri, se politika e mirë është me dashuri. Politika e keqe, është politika me ‘’hajni’’. Po prapë politikë është.
Emina Çunmulaj: Unë për atë që shoh me sy të ballit, luftoj për atë. Unë kur e shoh Tuzin sot, që zhvillohet dhe vazhdon të zhvillohet, do të luftoj për të ardhmen e popullit shqiptar. Aty, në trojet shqiptare të Malit të Zi. Thjesht, asgjë tjetër. Unë Nikën e shoh si dikush që ka ardhur në pushtet dhe ka bërë shumë gjëra që nuk si kanë bërë njerëzit përpara, që e kanë pasur për 30 vite. Unë sot i mbush 38 vjet. Është hera e parë në Mal të Zi që rruga është asfaltuar deri te shtëpia ime si duhet. Gjynah! Turp! Pse se kanë bërë të tjerët? Kanë pasur buxhetin. Janë gjëra të thjeshta. Janë gjëra elementare që të ekzistojë vendi, që t’i kemi dhe ne kushtet si malazezët.
Shkolla fillore që kam qenë, është hera e parë që e kanë rinovuar. Pse s’është bërë kjo para 30 vjetëve? Një ambulancë e kemi 24 orë. Në një prag emergjence, të ndodh diçka me fëmijën në 2 të mëngjesit, të ikësh në Podgoricë? I jap fëmijës diçka për të ngrënë, i mbetet në fyt, çfarë të bëj? Derisa të mbërrij në Podgoricë, çfarë do ndodhë? Të më vdesë fëmija rrugës? Është hera e parë që kemi drita në Tuz si duhet. Të ecësh natën dhe të shohësh dikë, një shesh. Falë jush dhe bashkisë Tiranë, kemi një shesh të bukur në Tuz. Këto janë gjëra që nuk mund të shkojnë pa u parë. “you can’t turn a blind eye to things that you see’’. Thjesht kjo! Kjo tani quhet politikë, në rregull, s’ka problem, por për mua është dashuria drejt popullit tim dhe ata që besoj që e meritojnë.
Kryeministri Edi Rama: Respekt. Shumë respekt nga ana ime për këtë dhe ndërkohë, nuk të mjafton Mali i Zi, merresh dhe me Shqipërinë. Unë e kam dëgjuar emrin tënd për herë të parë, se me thënë të drejtën nuk të njihja, unë nuk jam ndjekës shumë i këtyre rrjeteve sociale, përveç se në atë pjesën që më detyron puna, por e kam dëgjuar emrin tënd për herë të parë nga Arbër Hajdari, i cili është një djalë fantastik. Edhe ai politikë me dashuri bën, s’merret me politikë, po faktikisht nuk i rrihet pa ndihmuar të tjerët, jeton madje me pasion për të ndihmuar të tjerët, dhe keni bashkuar forcat për të çuar përpara përpjekjen e “Fundjavës Ndryshe”, çfarë do me Shqipërinë? Pse ngatërrohesh me Shqipërinë? Se mirë hajde, në Tuz ke dashurinë edhe s’të lë nevoja për asfalt te rruga e shtëpisë, po këtu çfarë do?
Emina Çunmulaj: Gjaku nuk është ujë! Mos harro! Vetëm se na ndajnë kufijtë, nuk na ndan shpirti. Unë e kam njohur Arbërin prej një mikes sime, ku në atë kohë unë kërkoja një organizatë bamirëse në Shqipëri sepse kam dëgjuar shumë gjëra që ndodhnin në Shqipëri që mendoja që do mund ta ndihmojë popullin shqiptar. Edhe në atë kohë Arbri kishte filluar “Fundjavën Ndryshe”. Ishin duke punuar një gjë fantastike dhe i kam thënë Arbrit, që këtë ditë mua më ke, jo vetëm ambasadore, por ndihmëse. Dua të shkoj me ty drejtpërdrejtë, dua ta ndihmoj familjet, të jem aty, t’i mbaj dorën, t’i them që çdo gjë do jetë OK, ta dinë që do kenë një shtëpi që të jetojnë rehat.
Nëna ime ka qenë dikush që po t’i hyje në shtëpi, nuk të linte të dilje nga shtëpia pa të dhënë bukë për të ngrënë. Edhe po të ishte lyps, edhe po të ishte president, edhe po të ishte pastruese, apo katundar, s’ka pasur lidhje se kush ishte. Kur i hyje në shtëpi, ajo të jepte bukë për të ngrënë. Dhe ne kur kemi qenë fëmijë në vitet ’90 më kujtohet lufta në Kosovë. Dhe ne jemi fshati më i fundit në anë të Malit të Zi që kapet nga liqeni i Shkodrës. Edhe aty kanë kaluar refugjatët tërë kohës. Ushtria jugosllave na ruante shtëpinë, na vinte dhe sillej rreth e rreth shtëpisë për të parë a kemi refugjatë në shtëpi se babi kalonte me sule këtej. Nëna ime rrobat tona ua jepte fëmijëve, i jepte të hanin dhe në mes të natës i kalonin në Shqipëri. Këto janë gjëra që kur je fëmijë ndikojnë tek ty, por ti nuk i di ato gjëra derisa të rritesh një ditë. Mua nëna më ka vdekur tash 10 vite. Ajo pjesë e saj nuk më le të fle rehat, kur e di që njerëzit e tjerë nuk janë rehat. Edhe aq më shumë për popullin tim. Nuk di, është diçka që është shumë më e madhe se vet. S’mund ta shpjegoj.
Kryeministri Edi Rama: Dhe ndërkohë megjithëse bashkëvuajtësi jot ka hotele, resorte nga më luksozet që mund të gjenden në botë, ti e merr atë për krahu dhe pushimet i bën në Mal të Zi dhe pak nëpër ujerat territoriale të Shqipërisë.
Emina Çunmulaj: Aty ku më lejojnë.
Kryeministri Edi Rama: Po këtu tani, dakord, pjesën emocionale e kam shumë të qartë. Po këtë pjesën tjetër, prapë edhe kjo është me dashuri apo jo?
Emina Çunmulaj: Dëgjo, ndër një emocionet më kryesore të njeriut është dashuria. Për mua, mendoj se gjithçka në jetë niset me dashuri, edhe në qoftë se ka mërziti, dhe nëse ka hidhërim. Në fund të fundit gjithçka mund të rregullohet me dashuri. Kalohet gjithçka në jetë. Unë e dua vendin tim. E dua vendin tim, e dua popullin tim. Unë kam ndërtuar dhe një shtëpi në fshatin ku jam rritur sepse dua që fëmijët e mi të mos harrojnë kurrë në jetë se nga e kanë nënën. Kjo është detyra ime. Vetë i them burrit: ti ke detyrën tënde si babë t’ju tregosh fëmijëve se nga vjen ti. Vetë si nënë e kam detyrën time. Vetë nuk mundem t’i mësoj fëmijëve të flasin gjuhën iraniane, por vetëm mund t’i mësoj gjuhën shqipe. Ashtu siç e flas. T’ia mësoj fëmijëve gjëra që i kam ditur vetë gjatë gjithë jetës time qysh nga fëmijëria. Kur kam ngrënë fasule, ne i themi grosh, kur kam ngrenë mish të thatë, kur kam ngrënë suxhuk. Fëmijët e mi janë rritur kështu. Unë ndryshe nuk di. Kështu që i mësoj ato që di edhe ajo që di është dhe dashuria ndaj vendit tim.
Në bregdetin e Adriatikut, është një ndjenjë që, dhe kur futen në ujë e ndiej vetëm ndryshe. Unë në Ulqin e kaloj sikur të jem në Maldive, ndoshta dikush do qeshë, por unë kam një qetësi, një rehatllëk që i themi ne, që s’mund ta shpjegoj. Dhe tashmë dalëngadalë ia kam futur dhe burrit tim në gjak.
Kryeministri Edi Rama: Po e pashë, e ke kontaminuar krejt.
Emina Çunmulaj: Po çfarë t’i them? Mua më ka dashur ashtu si jam, kështu që tash duhet dhe të dojë gjithë.
Kryeministri Edi Rama: Po në këtë historinë tënde ke ecur dhe je rritur paralel me një rritje shumë të vështirë që ka pasur Shqipëria dhe me siguri në vite, duke qenë mes njerëzish të famshëm, mes njerëzish të pasur, mes njerëzish që i përkasin edhe botës mediatike shumë, ke dëgjuar me siguri keq për Shqipërinë. Çfarë ndieje kur dëgjoje keq për Shqipërinë dhe çfarë bëje?
Emina Çunmulaj: Nuk di a lejohet ta them?
Kryeministri Edi Rama: Thuaje shqip, thuaje!
Emina Çunmulaj: Luftoj unë, luftoj sepse deri diku janë paragjykime shumë të mëdha për popullin shqiptar. Në përgjithësi nuk kam dëgjuar shumë gjëra të këqija për Shqipërinë pikërisht kurse për popullin shqiptar, unë e kujtoj si vajzë 15 vjeçare herën e parë kur ika në Itali, fillimi i karrierës time dhe kur mbërrita në Itali po më thoshin: “sei venuta con canotto”, unë në fillim italishten e flisja, por jo tamam si duhej, por kuptova që kjo është një bazë raciste sepse shqiptarët në atë kohë pas komunizmit dolën me barka. Dhe aty e pashë se bota na sheh në një mënyrë pothuajse jo të keqe, por me një sy tjetër. Dhe sot është koha që i kuptoj. I kuptoj emigrantët që dalin nga shtetet që nuk kanë kushte. I kuptoj të tëra. Por në fund të fundit, sot Shqipëria është në një vend që pak janë qytetet si Tirana. Unë them zhvillimi Tiranës nga vjet, në sivjet është drastik. Fatkeqësisht Mali i Zi, po të shkosh në Podgoricë është shumë më mbrapa se Tirana. Dje kam pasur një bisedë të shkurtër me një shoqe që më tha, më pyeti a e sheh ti veten të ktheheshe në Ballkan? 100%. Por fëmijën ta sjell në shkollë në Mal të Zi nuk e di ende a jam tamam e qetë. Por sikur të më thoshte burri nesër, do kalojmë në Ballkan. Do i thoja ok në Tiranë. It’s a cosmopolitan city.
Kështu që, sot ka ardhur koha me artistët shqiptarë, me njerëzit që kanë një shtytje shumë të madhe të marketingut, se ti e sheh në rrjetet sociale artistë janë ata që duan t’i marrin gjithë të rinjtë mbrapa. E kanë parë shqiptarët, me Rita Orën, Dua Lipa, që shqiptarët nuk janë ajo që na kanë paragjykuar përpara. Në fakt, jemi njerëz që jemi me shkollë, me kapacitet punëtore, me artistë, me të gjitha. Kështu që dalëngadalë po na hiqet pluhuri, që për vite na e kanë vënë përmbi krye. Por është diçka që vetëm rinia do e vazhdojë dhe do e pastrojë dalëngadalë.
Kryeministri Edi Rama: Unë mendoj që jemi në një tjetër pozitë sot komplet. Nuk ka më për shembull sot në Itali paragjykime për shqiptarët, përkundrazi sot ka respekt sepse janë imponuar. Po edhe në Greqi mund të ketë raste por ka respekt se janë imponuar. Madje nuk i sheh më njeri si një popull tjetër, por i shohin si pjesë e vetes. Po edhe në Gjermani përkundrazi, kështu që në këtë aspekt është bërë një kapërcim i madh. Nga ana tjetër, Shqipëria vetë, duke ndryshuar në mënyrë drastike siç e the po bëhet destinacion turistik i hatashëm dhe këtë vit, imagjino kur ne kemi filluar politikën me dashuri nga ana jonë, aeroporti i Rinasit kishte 300 mijë pasagjerë. Sivjet ne parashikojmë 6.5 milionë, ata të aeroportit thonë 7 milionë. Dhe praktikisht Tirana sot është e mbushur me turistë të huaj nga të gjitha anët, restorantet, kafet edhe jugu kështu që është një situatë tjetër. Megjithatë jam shumë dakord që ka shumë e shumë për të bërë, por mendoj që ti je njeriu i duhur sepse je edhe nga brenda gjithë suksesit në botën e modës, në botën e së bukurës, në rritje sociale edhe nga jashtë për shkak të personit që je dhe të njeriut që nuk i mjafton jeta me të sipërfaqshmen, po e quajmë por jeton shumë me brendinë. Çfarë do t’i thoshe vajzave të bukura, të vogla që sot natyrshëm janë të dhëna, janë të tërhequra shumë nga bota e rrjeteve sociale, nga bota e shfaqjes së bukurisë etj.
Emina Çunmulaj: Është një gjë e vështirë ta them, ta them në dy-tri fjali se unë i shoh vajzat e mia edhe mendoj se si do të jetë e ardhmja nga ndikimi i rrjeteve sociale dhe ajo që nuk është reale sepse ndoshta njerëzit mendojnë që e njohin Eminën Çunmulaj, por e njohin vetëm në atë përqindjen që tregoj në rrjetet sociale dhe ajo nuk është e tëra.
Nuk është e vërteta. This is the truth. Ju e shihni aq sa dorëzoj unë të shihni. Ashtu janë edhe të gjithë njerëzit e tjerë në rrjetet sociale. Kështu qe një vajzë 14, 15, 18-vjeçare që sheh Emina Çunmulaj dhe sheh Eminën në aeroplan privat, një jaht, një jetë luksoze, po t’i ketë ajo 5 minutat e kohës, të vijë e të rrijë me mua dhe t’ia tregojë jetën si e kam pasur unë, se si kam kaluar prej thuajse moshës 13-vjeçare deri në moshën 18-vjeçare kur i fitova 10 mijë eurot e parë.
Unë s’kam pasur bukë të ha kur kam qenë në Itali, në apartament me modele. Kjo është diçka që ndoshta s’ia kam treguar dikujt në jetë sepse janë vështirësitë e mia dhe të rrinë me mua. Ma bëjnë karakterin që ndoshta ti po thua, si jeton duke luftuar se jeta ime është gjithmonë në kokën time një luftë.
Edhe vazhdon në mënyra të tjera, por se lufto për ato që mendon dhe për të cilin je në jetën tënde, ajo që të vjen kollaj në jetë, edhe të hiqet kollaj.
Vetë bukë s’kam pasur të ha kur kam qenë 15 vjeç në Itali e më telefononte babai e më thoshte, “si je, bija ime?’’
-Mirë- i thosha- babë. Gjithçka në rregull.
Shkoja të flija, barku më dhimbtë. Shkoja të flija e çohesha natën. M kishin dhënë 200 lira në atë kohë për t’i harxhuar për tre javë ditë, për të marrë metronë, për të ngrënë dhe për shkuar për të kërkuar punë si modele.
Por ka ardhur koha që të gjithë ato “luftëra”, everything pays back. Vetëm përkushtim, përkushtim, përkushtim, lufto. Mendimi im për t’u kthyer në fshat më mbyste. Të kthehesha vetë prapa nga një vend që ika, që doja një jetë më të mirë për veten, nuk me lejonte kurrsesi të dorëzohesha, pastaj vajti puna edhe pak “luck” si i thonë amerikanët edhe jeta vazhdon edhe të gjitha të mirat dalëngadalë vijnë dhe sot jemi ku jemi.
Kryeministri Edi Rama: E ardhmja. Si e sheh të ardhmen? Se ok, tani ke fituar këto luftërat e deritanishme, por duke qenë se ti nuk jeton dot pa ‘’luftë’’, për çfarë do ‘’luftosh’’? Ça është next apo thjesht menaxhim i arritjeve të deritanishme?
Emina Çunmulaj: Po me menaxhim do të vazhdojmë gjithsesi. Fokusi im është familja, fëmija, se unë kam 3 fëmijë të vegjël; 7, 5 dhe 2 vjeç. Kështu që të gjitha këto i bëj përballë asaj se kryesorja është se jam nënë një herë, pikësëpari.
E pastaj të gjitha të tjerat në vend të vet. Patjetër, bamirësia është diçka që do të vazhdojë, është diçka që nuk do ndalem kurrë.
Tani jam edhe në një bord spitali, një ndër spitalet më të mëdha ne Miami, “Baptist Hospital’’. Aty jam si përfaqësuese e bordit kryesor, kështu që edhe ajo është një gjë e madhe për mua sepse dedikimi është shumë i lartë.
Tani kam edhe një rol, tip ambasadori i konsullatës dhe do të merrem në një nivel shumë të lartë me këtë, por edhe shumë gjëra të tjera që ndoshta do të mbahen sekret derisa të realizohen.
Kryeministri Edi Rama: Jo, ne jemi vërtetë shumë të bekuar, po themi, që kemi një Konsulle nderi në Florida që na përfaqëson, e para me gjatësinë një herë se këtë pjesën e gjatësisë e kam ..
Unë e kam pasur problem këtu dhe këtu hera-herës më kujtohet si problem, kur jam jashtë, aq më pëlqen kjo pjesa e gjatësisë sepse “ja, ai shqiptari edhe ..’’, kështu që të kemi një konsulle nderi 180 e kusur cm që iu del përpara dhe u thotë ‘’ëelcome to Albania”, është super.
Por përtej kësaj, është e vërtetë që kemi shumë akoma për të bërë dhe për pjesën e shkëmbimeve dhe e përfshirjes në marrëdhëniet e shqiptarëve dhe marrëdhënies të shqiptarëve me botën në sensin e eksperiencave e praktikave të mira, e dijeve të mëdha që shqiptarët kanë marrë, sepse shqiptarët janë të jashtëzakonshëm kur janë jashtë, për një arsye shumë të thjeshtë; se kur shkojnë jashtë, nuk ka “nëna”, nuk ka “baba” , nuk ka ‘’krushqia’’, nuk ka ‘’partia’’, nuk ka asgjë tjetër përveç teje dhe detit që do ta kalosh në këmbë ose do të mbytesh. Edhe janë të jashtëzakonshëm. Kur pastaj bëhen bashkë, janë një çikë më të ngatërruar sepse shkojnë te kafja dhe flasin për punën dhe shkojnë në punë e flasin për kafen. Kështu që kemi goxha gjëra për të bërë.
Para se të fillonim këtë, kur u zgjova sot kisha një mesazh nga burri yt. Edhe i thashë, me shumë gjasë do ta mbajmë gruan peng, që ti do të detyrohesh të vish dhe të vish ta marrësh dhe me këtë rast do ta mbash fjalën për vizitën në Shqipëri dhe për të parë se çfarë mund të marrim prej tij në aspektin e gjithë asaj eksperience dhe një pjesë të vogël të pasurisë së tij për ta investuar në turizmin shqiptar që është bërë kaq trendy, por që ka nevojë për vërtetë kualitet.
Sa më shumë kualitet që të mos biem pre e asaj masives që sjell të ardhura për momentin, por pastaj na prish shumë punë për të ardhmen, por të kemi sa më shumë kualitet, kështu që mos u çudit nëse kur të mbarojë podcasti, unë do të iki dhe ty do të të mbajnë këtu mbyllur deri sa të vijë burri të të marrë.
Jam shumë falënderues për këto minuta që pata mirësinë që t’i kalojmë bashkë. Jam i bindur që edhe ata që do të na ndjekin, do të jenë falënderues sepse është një vlerë e madhe që në botën e politikës, medias, shoëbizness, spektaklit etj, të jetë mundësia për t’u njohur me njerëz që janë ‘’real’’, që janë me mish e me gjak, e me kocka dhe që nuk janë plastikë.
Emina Çunmulaj: Faleminderit juve.
Kryeministri Edi Rama: Kjo ishte konsullja e nderit e republikës së Shqipërisë në Florida. Kjo ishte shqiptarja kokëfortë prej katundit që ka ngjitur shkallët dhe ka bërë yllin e vet të shkëlqejë në majat e modës, dhe kjo ishte nëna shqiptare që nuk dorëzohet kurrë.