Nga BUJAR QESJA

Mosha e jonë lartësohet. Dhe kjo lartësi jo në çdo rast na jep krenarinë e moshës, pse jo edhe të sfidës. Jetojmë edhe për të prekur dhimbje, e zemra e shkretë nuk ka ku ta mbajë. Mësova tani krejt papritur, kur po i hidhja një sy lajmeve në librin gjigand elektronik të fb, që ndali frymëmarrjen Demokrat Anastasi.

Shtangem dhe tronditem, kur miku im i fakultetit, gazetari ushtarak, i miri Thanas Tane bën me dije largimin nga jeta, të shkrimtarit dhe gazetarit Demokrat Anastasi. Kishim katër kolegë ushtarakë në kurs: Hysni Milloshi, Apostol Duka, Demokrat Anastasi dhe Elmaz Leci.

Ndër 22 gazetarët e ardhshëm, të fakultetit të shkencave politiko jurudike, dega e gazetarisë e vitit 1971 ishte edhe Demokrat Anastasi. Më ka lënë përshtypje urtësia e tij e lindur, që krijonin binom tërheqës me bukurinë shpirtërore, duke prezantuar para nesh një njeri të rrallë, të thjeshtë, fjalëpak, por energjik, të mënçur dhe të zot.

Që në atë kohë (1971- 1974) ky Demokrati ynë i Anastasëve, kishte bërë goxha emër dhe mbiemër. Shkruante shumë edhe poezi, ku brenda vargjeve, pulsonte shpirti i pastër si kristal i Demokratit.

Emri Demokrat shumë i veçantë. Shumë i mënçur ai apo ajo, që e ka menduar këtë emër, pasi kostumi i demokratit Demokratit tim të shkollës, i rrinte mjaft mirë që në monizëm. Kjo ishte një plus më shumë, që e lartësonin këtë njeri të veçantë para shokëve të kursit, disa prej të cilëve si unë ishin më të rinj.

Kujtime pa fund, të një kohe që na formoi më shpejt nga shtati dhe na bëri si vëllezër njëri me tjetrin. E kam thënë edhe në raste të tjera, kur më është dashur të prekë dhimbjet e largimit nga jeta të shokëve të shkollës së lartë, se po rrallohemi.

Cilët na kanë ikur? Cilët na e bënë shpirtin copë, ja tani si Demokrati? Ja pra cilët janë!

  1. Hysni Milloshi
  2. Skënder Hasko
  3. Jamarbër Marko
  4. Tomor Jolldashi
  5. Shpëtim Gina
  6. Tonin Shtjefni
  7. Apostol Duka
  8. Demokrat Anastasi

Kemi mbetur:

Dilaver Baxhaku
Zamira Koleci
Mira Bregu
Skënder Vaqarri
Irma Titani
Ana Nimali
Nexhati Tafa
Shirma Minga
Donika Ndile
Donika Demirazi
Violeta Peçuni
Elmaz Leci
Arqile Ndini
Bujar Qesja

Të 14-të ne të mbeturit, jemi në dhimbje. Kaluam vite të një kohe, që quhet rinia e jonë. Thurëm ëndërrat tona, që me sa kaluam e pamë, vetëm ëndërra nuk ishin. Dilnim me Demokratin rrugëve të Tiranës. Bisedonim dhe ndjenja tek ai, dorën e ngrohtë të një shoku të rrallë.

E donim dhe e respektonim njëri tjetrin. Lëviznim shumë. Shkruanim shumë. Këmbët nuk na zinin dhe. Kaluam vite kështu, derisa treni i jetës na vendosi në stacione të reja. Dhe pas viteve të shkollës, e ndalëm shoqërinë tonë, për të mos ndalur kujtimet dhe mbresat, për atë kohë të përmallshme që kaluam së bashku. Rrugët në jetë ishin të ndryshme, me vështirësi dhe sfida. I humbëm lidhjet, por shpirtin jo.

Sëmundja na e largoi Demokratin nga jeta, por nuk ka shanse të largoj nga shpirti ynë portretin e tij, të skalitur m’u si relievi tërheqës malor i Gjirokastrës së tij.

Nuk e di ku do të tretet trupi yt, në Greqi apo vendlindje, por ajo që vlen është:
Kurrë nuk do të tretesh nga ata shokë dhe nga ata shoqe, që na lidhën së bashku vitet më të bukura, më të arta, rinia e jonë e paharrueshme.

Lamtumirë shok! Lamtumirë mik! Lamtumirë Demokrat Anastasi!

Bujar Qesja
Durrës: 8 korrik 2023