Gjykata e Elbasanit ka dhënë vendimin 22 vite burg për Arbër Paplekajn, për vrasjen e Pjerin Xhuvanit, i cili mbeti i vrarë pak ditë para zgjedhjeve të 25 prillit 2021. Pas një procesi të gjatë gjyqësor dhe pasi dëgjoi dëshmitë e 52 personave, prokuroria kishte kërkuar 25 vjet heqje lirie për Paplekajn.

Dy ish-nëndrejtorët e policisë së këtij qyteti, Albert Nushi dhe Nikollaq Palla, u dënuan me nga 1 vit dënim shërbim prove, ndërsa për 6 efektivët e tjerë, gjykata dha 8 muaj shërbim prove.

Ngjarja e rëndë ndodhi më 21 prill të vitit 2021 në qytetin e Elbasanit. Struktura për mbrojtjen e votës e ngritur nga PD pretendonte se përfaqësues të Partisë Socialiste po blinin vota. Dy grupet u përplasën me njëra-tjetrën dhe Arbër Paplekaj qëlloi me kallashnikov duke lënë të vdekur Pjerin Xhuvanin dhe u plagosën 4 persona. Vetë Paplekaj pas ngjarjes deklaroi se qëlloi për vetëmbrojtje.