Ka folur për mediet babai i Melsi Zogut, një nga katër viktimat që u mbytën mbrëmë në liqenin e Banjës në Gramsh. Katër anëtarë të së njëjtës familje u shuan në liqenin e Banjës në Gramsh, ndërsa kishin shkuar për tu larë.

Viktimat janë Arben Zogu, 46 vjeç, dy djemtë e tij Rubens Zogu 19 vjeç dhe Esti Zogu 14 vjeç, dhe nipi i tij Melsi Zogu, 20 vjeç.

Mes lotësh  babai i 20-vjeçarit Melsi Zogu tregoi më shumë mbi ngjarjen.

Ai tha për mediat se të 4 viktimat kishin shkuar në liqen për t’u larë, por pasi ata nuk iu ishin përgjigjur telefonit, babai ishte nisur drejt vendngjarjes.

“Do dalim për t’u larë thanë, ja motorat i kanë këtu, me telefona siç ishin me shapka që dolën nga shtëpia.

Nuk do vonohemi shumë thanë. S’dimë gjë tjetër më. U nisën në orën 3, dhe thanë do vonoheshin 1 orë. Në orën 5 i merrnim në telefon nuk përgjigjeshin”, u shpreh familjari i viktimave.