Në të gjithë hapësirën ujore të qarkut Vlorë me grupe kontrolli nga Njësia Policore Detare dhe Policia Kufitare vijojnë verifikimet ndaj mjeteve lundruese, me qëllimin e vetëm parandalimin e incidenteve me pasoja për jetën dhe shëndetin e pushuesve.
Nga Vlora në Sarandë janë bllokuar 30 mjete të tjera lundruese për shkelje si lundrim/bregëzim jashtë zonës së përcaktuar, tejkalim i kapacitetit të mbajtjes së personave në bord dhe mungesë dokumentacioni.
Krahas bllokimit të mjeteve lundruese, drejtuesit e tyre u ndëshkuan me masa administrative që variojnë nga 10 000 deri në 100 000 lekë të rinj.
Si rezultat i monitorimit të vijës bregdetare dhe të hapësirës ujore të qarkut Vlorë, me objektivin primar, garantimin e sigurisë së jetës së qytetarëve dhe pushuesve, Njësia Policore Detare, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Kufitare të DVKM Vlorë, ka bllokuar 30 mjete të tjera lundruese, të cilat u konstatuan në paligjshmëri të ndryshme.





