Rastet e fundit të djegies së Kuranit në Suedi kanë ndikuar keq në imazhin e vendit dhe ka çuar në një përkeqësim të situatës së sigurisë në vend, ka paralajmëruar shërbimi i sigurisë Sapo.

Shumë vende me shumicë myslimane kanë shprehur zemërim. Javën e kaluar protestuesit i vunë flakën ambasadës suedeze në Irak pasi mësuan se policia në Stokholm kishte dhënë leje për djegie të tjera librash.

Për suedezët, çështja ka ngritur një dilemë të madhe, sepse në rrezik është një e drejtë historike dhe themelore që daton që nga viti 1766.

“Suedia ka një nga mbrojtjet ligjore më të forta në botë për lirinë e shprehjes”, thotë Marten Schultz, profesor në fakultetin e drejtësisë të Universitetit të Stokholmit.

Kombi nordik hoqi gjithashtu ligjet e tij të blasfemisë në vitet 1970.

Kushtetuta e saj garanton të drejtën e lirisë së shprehjes për çdo temë, duke përfshirë “shprehjet e mendimit që vënë në dyshim mesazhet fetare, ose që mund të perceptohen si të dëmshme për besimtarin”.

Por qeveria e saj e udhëhequr nga qendra e djathtë po shqyrton tani ndryshimet e mundshme në ligjet që kanë lejuar djegien e Kuranit në Stokholm.

Kjo për shkak se policia fillimisht refuzoi të lejojë dy djegie të planifikuara në fillim të këtij viti për shkak të rrezikut për ta bërë Suedinë një “objektiv me përparësi më të lartë për sulme”.

Ata kishin përmendur ligjin e rendit publik, ose Ordningslag, si justifikim për ndalimin.

Por më pas gjykatat rrëzuan policinë, duke argumentuar se rreziqet e sigurisë nuk kishin një lidhje mjaft të qartë me tubimet e planifikuara ose rrethinat e tyre të afërta për të refuzuar lejen.

Sipas ligjit, tubimet mund të ndalohen vetëm nëse ato janë një kërcënim për sigurinë publike.

Kritikët kanë theksuar se Suedia ka një ligj që ndalon nxitjen kundër grupeve etnike, në fuqi që nga viti 1949 në përgjigje të Holokaustit.

Por ekspertët thonë se djegia e Kuranit synonte një libër në vend të njerëzve apo individëve, kështu që ky lexim i ligjit nuk ishte i përshtatshëm në kontekstin e ndalimit të tubimeve.

“Liria e fjalës është pjesë e kulturës sonë ligjore”, tha profesor Schultz për BBC. “Nuk është vetëm ligji, por një vlerë themelore.”

Vendimi i gjykatave për të lejuar protesta të tilla zemëroi Presidentin e Turqisë Rexhep Tajip Erdogan, duke prishur gati përpjekjen e Suedisë për t’u bashkuar me aleancën ushtarake të NATO-s.

Djegia e librave dhe fushatat e dezinformimit e kanë kthyer imazhin e Suedisë “nga një vend tolerant në një vend armiqësor ndaj Islamit dhe muslimanëve”, sipas shërbimit suedez të sigurisë.

Qeveria ka akuzuar gjithashtu Moskën për udhëheqjen e një fushate dezinformimi. Sapo tha se fushatat e lajmeve të rreme pretendonin gjithashtu se Suedia organizonte sulme ndaj myslimanëve dhe rrëmbimin e fëmijëve myslimanë nga shërbimet sociale.

Zemërimi u përhap këtë javë edhe në Kombet e Bashkuara, ku disa vende evropiane argumentuan se djegia e librave të shenjtë ishte fyese dhe mungesë respekti, por jo kundër ligjit ndërkombëtar.