Përdorimi i rrjeteve sociale nga politikanët dhe ndikimi në opinionin publik u diskutua mes ekspertëve në “Top Story”.
Duke folur për politikanët shqiptarë, të ftuarit vunë në dukje se është kryeministri Edi Rama ai që kryeson listën, si politikani më i suksesshëm në rrjetet sociale. Sipas drejtuesit të “Terra Data Analytics”, Blerim Gjeladini, Rama renditet në vend të dytë ose të tretë në botë.
“Qeveria është në avantazh në krahasim me opozitën, por jo vetëm. Në rast se masim rrjetet sociale të liderëve botërore, kryeministri i Shqipërisë renditet i dyti apo i treti, për numër postimesh, reagimesh”.
Politika i ka shndërruar rrjetet sociale në mekanizëm për të ndryshuar opinionin publik, thotë Gjeladini, që shpjegon si përdoren robotët për të postuar e komentuar në rrjet.
“Ne kemi bërë edhe një analizë tjetër kur ishte efekti i çmimeve pas Covid-it dhe krizës në Ukrainë. Bëmë analizën e Sllovenisë dhe të Shqipërisë, tregjet e të cilave ishin ndikuar nga ky problem. Reagimi i qytetarëve slloven ishte jashtëzakonisht i madh në media, ndërsa në politikë kishte rënë tërësisht. Në Shqipëri ishte e kundërta, nuk kishte efekt fare. Nuk ekziston ai efekt, sepse politika e ka shndërruar në një mekanizëm. Mënyra e vjetër është që dikush ka hapur dy-tre profile. Mënyra e re është që robotët krijojnë fotografi të ndryshme, do të hapë fotografi me një emër të caktuar. Përdorin Inteligjencën Artificiale për të prodhuar fotografi të ndryshme, që postohen automatikisht dhe sa herë një poston ‘xy’, ato reagojnë ose komentojnë nëpër formate të ndryshme, duke lexuar kontentin. Ajo përdoret për ndryshimin e opinionit”.