Zjarret që pushtuan Greqinë dhe Italinë nuk kanë qenë pasojë e temperaturave të larta por të shkaktuara nga dora e njeriut. I nxehti ekstrem thjesht ka përkeqësuar situatën. Ky është konkluzioni i autoriteteve në dy shtetet që u përfshinë nga zjarret këto dy javë.
Ministri i Krizave Klimatike dhe Mbrojtjes Civile të Greqisë, Vassilis Kikilias sot gjatë konferencës për shtyp për zjarret e vazhdueshme që përfshinë vendin, tha se kanë rënë 667 zjarre, më shumë se 60 zjarre në ditë.
“Ato janë shkaktuar nga dora e njeriut. Në pjesën më të madhe të tyre janë zjarrvënës nga pakujdesia ose me qëllime kriminale”, tha ai duke shtuar se “diferenca me vitet e tjera ishte se këtë vit zjarret janë favorizuar ishin edhe kushtet e motit”.
Në konferencën për shtyp ishte dhe Sekretari i Përgjithshëm i Akademisë së Athinës, profesori i fizikës atmosferike dhe klimatologjisë, Christos Zerefos, shefi i Brigadës së Zjarrfikësve, Gjeneral Lejtnant, Georgios Pournaras dhe kreu i Drejtorisë së Përgjithshme të Pyjeve dhe Mjedisit, Evangelos Guduffa.
“Janë djegur 400,000 hektarë tokë këtë vit, ka pasur një vatër që kapërceu një zonë zjarri 200 metra, tha ministri në raportin e 15 ditëve që Greqia u përfshi nga flakët.
Sipas tij, Departamenti i Zjarrfikësve vuri nën kontroll shumicën e të gjitha vatrave të zjarrit, megjithatë 10 prej tyre morën përmasa të mëdha dhe testuan kufijtë dhe qëndrueshmërinë e të gjithëve por mbi të gjitha të banorëve të zonës.
Në të njëjtën kohë, Vasilis Kikilias deklaroi se, “bëmë më të mirën që mundëm në këto rrethana. Shkalla e vështirësisë operative doli të ishte shumë e madhe. Ne nuk po strukemi, por po e shohim realitetin me sy.”
60% e zjarreve në Itali u shkaktuan nga njeriu
Zjarret kanë shpërthyer edhe në pjesë jugore të Italisë kohët e fundit, duke detyruar mijëra banorë të evakuohen dhe të lënë shtëpitë e tyre. Shumë prej këtyre zjarreve mendohen se kanë pasur si shkaktar jo temperaturat e larta por njeriun. Sindikata Bujqësore “Coldiretti” në analizën e dëmeve nga zjarri, deklaroi se rreth 60% të zjarreve janë shkaktuar nga njeriu.
Por pse dikush do të provokonte një zjarr vdekjeprurës dhe do të vinte ne rrezik edhe veten?
Banorët e Kalabrisë, një zonë që u përfshi nga flakët, i thanë BBC-së se vetë fermerët janë fajtorë për zjarret atje. Temperaturat e larta dhe thatësira, vetëm sa e përkeqësuan situatën. Në dy vitet e fundit, zjarret në këtë zonë kanë dëmtuar një kishë të shekullit të 13-të, në Siçili dhe kanë djegur disa pemë ulliri shekullore në Pulia. Në fillim të kësaj jave, një nga muzikantët popullorë më të vjetër të Kalabrisë, 98-vjeçari Diego Aquilino, vdiq tragjikisht kur flakët arritën në shtëpinë e tij.
Presidenti i Kalabrisë, Roberto Occhiuto, shkoi edhe më larg se Sindikata dhe vlerësoi se 80% e rasteve të zjarrvënieve në rajonin e tij kanë si shkaktar njeriun. Ai dhe autoritetet rajonale kanë ngritur një sistem për të penguar zjarrvënien e qëllimshme, me dronë që skanojnë territorin për zjarrvënës.
Ekziston gjithashtu legjislacioni mbarëkombëtar për të luftuar fenomenin. Në vitin 2000, Italia prezantoi legjislacionin që ndalon këdo që do të ndërtojë prona në terrene të djegura, në mënyrë që të luftojë zjarrvëniet e qëllimshme që kërkojnë të blejnë tokën e djegur me çmim më të lirë.
Megjithatë, disa zjarre të shkaktuara nga njeriu nuk janë domosdoshmërisht rezultat i qëllimit kriminal.
“Ne kemi imazhe, për shembull, të fermerëve që ndezin zjarret në një përpjekje për të pastruar barërat e këqija,” tha zoti Occhiuto. Por ai pranoi se dronët kishin shfaqur gjithashtu imazhe të “skuadrave të organizuara për zjarrvënie“.
Këtë javë, policia italiane arrestoi një burrë 79-vjeçar, i cili dyshohet se ndezi një zjarr të madh që shkatërroi 30 hektarë (74 hektarë) tokë, ekuivalente me 42 fusha futbolli ose me po aq ullishte në Siçilinë qendrore.
Në Kalabri, dëshmitë e zjarrvënieve janë gjithandej, tokat e djegura janë tani një tipar i përhershëm i një peizazhi dikur mahnitës të zonës.