Erik Blick nga Suedi erdhi në Shqipëri për 10 ditë. Ai kishte dëgjuar se ishte lirë, por thotë se me të vërtetë është habitur, jo vetëm nga çmimet e lira, por edhe nga cilësia.
“Ushqimi në Gjirokastër dhe Berat ishte shumë i mirë. Kemi paguar shumë pak për vaktet 10-15 euro. Gjatë festivalit folklorik, çmimet u rritën pak më shumë se zakonisht me 3-5 euro për ushqim, por gjithsesi shumë të lira për ne”, thotë ai.
Me përjashtim të Jugut, ku vaktet në restorante kanë shkuar sa në Europë (minimalisht 10-15 euro një pjatë), turistët e gjejnë Shqipërinë të lirë dhe kjo është një nga arsyet e dyndjes së tyre këtë vit, krahas diversitetit të shumtë turistik, që ofron vendi.
Ndonëse për shumë familje shqiptare, konsumi i shpeshtë i një vakti në restorante mund të jetë i papërballueshëm, turistëve të huaj, që kanë të ardhura më të larta mujore, ua mban xhepi.
Shqipëria rezulton sipas Eurostat shteti i dytë më i lirë në Europë, për çmimet më të ulëta të restoranteve. Në vitin 2022, niveli i çmimeve I bar restoranteve, i matur sipas fuqisë blerëse, ndaj mesatares së Bashkimit Europian ishte 46.8%.
Kjo do të thotë që një drekë, që mesatarisht në Bashkimin Europian kushton 100 euro, në Shqipëri është më pak sesa gjysma.
Maqedonia e Veriut është shumë pak më e lirë se Shqipëria (46.3%). Pas Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë renditet Bullgaria (50.5%), Turqia (52.3%), Bosnjë-Hercegovina (58.8%). Të dhënat për Kosovën mungojnë.
Mali i Zi dhe Serbia janë më të shtrenjtët për bare e restorante në rajon, me përkatësisht 59.5% dhe 60.7% të mesatares së BE-së.
Në Shqipëri, shpenzimi për frymë për bare e restorante në një vit, për 2022 ishte 217 euro, por këtu përfshihen dhe ato që konsumojnë të huajt. Kjo shifër është shumë më e ulët se mesatarja europiane prej 1190 euro, sipas Eurostat.
Shpenzimi më i lartë për frymë në rajon për bare e restorante është në Mal të Zi, me 1113 euro, që tregon për një nivel tepër të zhvilluar të turizmit në shtetin fqinjë.
Në Maqedoninë e Veriut, ky tregues është 223 euro dhe më i ulëti është në Serbi me 187 euro, më i vogli në Europë (Shqipëria është e dyta më e ulëta në Europë, pas Serbisë).
Nëse shkoni në këto shtete, peshojeni mirë buxhetin
Zvicra është shteti më i shtrenjtë në Europë. Një drekë në një nga qytetet e këtij vendi do ju kushtojë 75% më shumë sesa mesatarja europiane, ose të paktën tre herë më shumë sesa në Shqipëri.
Sa më lart të ngjiteni në veri të Europës, aq më shumë duhet të paguani për të konsumuar një vakt. Në Norvegji, çmimet janë 66% më shtrenjtë sesa mesatarja europiane, në Danimarkë 55% më shumë dhe në Finlandë 31.6% më tepër.
Nga destinacionet e preferuara turistike të Europës, më lirë ju kushton një vakt në Portugali, me 73.5% të mesatares europiane, ose 26.5% më lirë sesa i gjeni mesatarisht në vendet e tjera.
Në Kroaci, çmimet janë sa 83.5% e mesatares europiane, në Spanjë sa 83.7%.
Italia është përgjithësisht pak më e shtrenjtë se mesatarja e BE-së, me 107.5%.
Sa kushton një drekë në shtete të ndryshme të Europës
Sipas të dhënave të tjera të Numbeo, njësia më e madhe e të dhënave në botë, që publikon të dhëna krahasuese mes shteteve, një drektë në Shqipëri, në një restorant mesatar për dy persona me tre pjata kushton rreth 30- 32 euro, ndërsa në Mal të Zi e Serbi rreth 35-36 euro. Më e lirë në rajon një dreke është në Kosovë me 16-20 euro.
Në Itali, një vakt i ngjashëm kushton 60 euro, në Spanjë 45 euro dhe në Portugali 40 euro. Në Greqi është në të njëjtat nivele si në Spanjë, rreth 45 euro. Në Kroaci është pak më lirë, mesatarisht 41 euro.
Në Gjermani, fatura shkon mesatarish 60 euro, dhe po kaq edhe në Austri.
Nëse konsumoni një dreket të ngjashme në Norvegji, fatura do t’ju shkojë mesatarisht 90 euro, në Suedi 70 euro.
Në Zvicër, që është shteti më i kripur në Europë, duhet të përgatiteni që të keni më vete më shumë se 100 euro (sipas Numbeo fatura është 115 euro). /Monitor