Në total në 4 vjet për periudhën 2019-2022 nga nisja e programit mbështetës për dhënien e bonusit të bebeve, sipas të dhënave të raporteve të monitorimit të Ministrisë së Shëndetësisë është shpenzuar nga buxheti i shtetit fondi me vlerë 11,5 miliardë lekë apo rreth 112 milionë euro.

Totali i bebeve përfituese sipas të dhënave të Monitorimit të Ministrisë së shëndetësisë është për 161,943 të porsalindur. Nisur nga numri i lindjeve për vitet 2019-2022 sipas të dhënave të INSTAT është 108,535 lindje, çka rezulton se 33% apo 53,408 bebe përfituese të bonusit jetojnë jashtë.

Për periudhën janar-prill sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë bonusi i bebeve është shpërndarë për 12,123 të porsalindur, ndërsa fondi i shpenzuar llogaritet të jetë në vlerën e 900 milionë lekëve. Krahasuar me 2022 numri i bebeve përfituese është me rënie 4%. Në 2022 bonusin e përfituan 12,628 bebe, ndërsa fondi i shpërndarë është i njëjtë me periudhën e 2023.

Bonusi i bebes është një politikë e re sociale që po zbatohet nga qeveria prej 1 janarit 2019 që mbështet familjet nëpërmjet dhënies direkte të çekut me vlerën e 40 mijë lekëve për fëmijën e parë, 80 mijë lekë për fëmijën e dytë dhe 120 mijë lekë për fëmijën e tretë. Bonusi përfitohet për të gjithë fëmijët e regjistruar në Shqipëri, edhe nëse foshnja ka lindur jashtë shtetit, në formën e çekut që tërhiqet nga nëna.

Për shkak të numrit të lartë të bebeve përfituese jashtë Shqipërisë në muajin maj Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale publikoi te konsultimet publike projektligjin “Për një shtesë dhe një ndryshim në Ligjin Nr. 57/2019 “Për Asistencën Sociale në Republikën e Shqipërisë”, ku pika 1 e nenit 9 të ligjit përjashton nga përfitimi i këtij bonusi personat që nuk janë rezidentë në Shqipëri.

Ishte
Neni 9
Përfitues i ndihmës së menjëhershme financiare (bonusi i bebes)
1. Përfitues të ndihmës së menjëhershme financiare (bonusi i bebes) për foshnjën e porsalindur janë prindi/prindërit e fëmijës.
2. Masa dhe procedura e dhënies së ndihmës së menjëhershme financiare për foshnjat e porsalindura dhe mënyra e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të shërbimit spitalor dhe atyre të gjendjes civile përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave
Neni 11
Personat jopërfitues Nga ky ligj nuk përfitojnë: a) shtetasit shqiptarë, që banojnë jashtë vendit si emigrantë, me përjashtim të përfituesve sipas pikës 1 të nenit 9, të këtij ligji.

Bëhet
Neni 1
Në Nenin 9, pika 1, në fund të fjalisë shtohet togfjalëshi “…të cilët janë rezident në Republikën e Shqipërisë.”

Neni 2
Shkronja “a” e Nenit 11, riformulohet si vijon:“a) shtetasit shqiptarë, që nuk janë rezidentë në Republikën e Shqipërisë.”

Burim: INSTAT
Burim: INSTAT