Kursi i këmbimit të Euros me Lekun regjistroi një tjetër rritje të fortë ditën e premte dhe u kthye sipër nivelit të 106 lekëve për herë të parë që nga muaji qershor.

Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye me 106.01 lekë. Kursi i Euros është rritur me pothuajse një lekë në një ditë, ndërsa që nga fundi i javës së kaluar Euro ka fituar afërsisht 2.2 lekë.

Forcimi i Euros po shtyn në rritje edhe valutat e tjera kryesore. Dollari Amerikan u këmbye të premten me 97.53 lekë, duke prekur nivëlin më të lartë që nga fillimi i muajit korrik. Paundi Britanik arriti vlerën e 124.01 lekëve, niveli më i lartë që prej fundit të muajit qershor.

Sipas agjentëve të këmbimit valuator, këtë javë është vërejtur një rritje e kërkesës për valutë në segmentin e bizneseve. Kjo rritje e kërkesës mund të jetë motivuar edhe nga një rritje e pagesave buxhetore në lekë në llogaritë e bizneseve nga Thesari i shtetit.

Nga ana tjetër, pas mesit të muajit gusht efekti i sezonit veror në kursin e këmbimit fillom të zbehet dhe zakonisht kursi i këmbimit të Euros në këtë periudhë shfaq një korrektim në rritje. Megjithatë, rritja e ditëve të fundit shkon përtej dinamikave normale të korrigjimit të efektit sezonal dhe mund të shpjegohet më së shumti me një kërkesë të rritur për valutë, që duket se ka ardhur kryesisht nga bizneset.

Një faktor tjetër që në teori mund të ndikojë në favor të mbiçmimit të Euros është diferenca në normat e interesit. Këtë vit, Banka Qendrore Europiane ka vazhduar rrugën agresive të rritjes së normës bazë dhe ka arritur në nivelin 4.5%, ndërsa Banka e Shqipërisë ka ndaluar prej muajsh në nivelin 3%.

Kjo po ndikon në norma më të ulëta interesi për kredinë në lekë dhe po nxit kreditimin në monedhën vendase. Në teori, kjo mund të shoqërohet me rritje të injektimit të Lekut në ekonomi dhe të ofertës së saj. Një tendencë e tillë do të krijonte presione nënçmuese mbi monedhën vendase.

Qysh prej fillimit të tremujorit të dytë të vitit, kursi i këmbimit mes Euros po shfaq një mungesë stabiliteti të pazakontë në raport me tendencat e veta historike. Kursi është karakterizuar nga një tendencë e mbiçmimit të lekut, që në muajin korrik arriti minimumin historik shumë afër kufirit të 100 lekëve. Megjithatë, rënia e Euros është shoqëruar me herë pas here me lëvizje të forta në kahun e kundërt, megjithëse përgjithësisht këto lëvizje kanë qenë afatshkurtra.

Monedha e përbashkët europiane ka një përdorim të gjerë në ekonominë dhe sektorin financiar shqiptar. Luhatshmëria e kursit të Euros rrjedhimisht po shkakton pasiguri të shtuar për subjektet ekonomike.

Rënia e kursit të Euros ka shkaktuar pasoja negative për sektorët eksportues të ekonomisë, por ndërkohë ka ndihmuar në uljen e kostos së importeve dhe në zbutjen e presioneve të huaja inflacioniste në ekonomi. Euro e dobët ka ndihmuar huamarrësit në valutë të huaj, por, nga ana tjetër, ka ulur vlerën e kursimeve të publikut në monedhën europiane./Monitor/

Euro