Kanë filluar rikonstruksionet e ambienteve të përbashkëta të pallateve me shkallë dëmtimi DS1-DS2-DS3. Rikonstruksionet do të kryhen në fasadat, shkallët dhe muret e ashensorëve të këtyre godinave.
Kryetarja e bashkisë së Durrësit Emiriana Sako, ka inspektuar këtë të enjte punimet që po kryhen në disa pallate në lagjen nr. 18. Sako deklaroi se deri tani janë lidhur kontratat për 7 lote dhe kjo përfshin rikonstruksionin e ambienteve të përbashkëta për 458 pallate.
Në lidhje me grantin për rikonstruksion, kryebashkiakja deklaroi se janë dhënë deri tani:
- 100 mijë lekë të rinj për 1700 familje,
- 250 mijë lekë të rinj për 3400 familje,
- 500 mijë lekë të rinj për 3800 familje të Durrësit.
Riparimi i banesave nga familjet që kanë përfituar nga granti për rikonstruksion si dhe riparimi i ambienteve të përbashkëta të pallateve nga ana e shtetit, janë një hap i madh drejt kthimit në normalitet të mijëra familjeve që janë dëmtuar nga tërmeti i vitit të kaluar.





