Për dekanin e Fakultetit të Studimeve Profesionale dhe ekspertin e detit, Osman Metalla, delimitimi i ujërave detare mes Shqipërisë dhe Greqisë duhet parë në një këndvështrim më të gjerë duke studiuar çështje të ngjashme dhe praktikat ndërkombëtare. Sipas Metallës, ngritja e një grupi të mirë konstitucionalistësh dhe konsulenca ndërkombëtare do të ndihmonte shtetin shqiptar për të forcuar argumentet juridike me të cilat do të mbrojë pozicionin e palës shqiptare në gjykatën e Hagës.

Në një intervistë për DurrësLajm, Metalla solli rastin e kufijve detarë mes delimitimit të kufijve detarë mes Italisë, Tunizisë dhe Maltës.

“Me ishullin e Lampeduzës kemi rastin klasik, sepse bëhet fjalë për dy situata të ndryshme. Nga njëra anë kemi ndarjen e kufijve detarë mes Lampeduzës dhe Maltës, dy ishuj me situatë të barabartë. Hapësirat që i janë dhënë ishullit të Lampeduzës në këtë rast janë të barabarta, edhe det territorial, edhe hapësirë e zonës ekonomike ekskluzive. Por, nga ana tjetër, të njëjtit ishull, përballë bregut kontinental të Tunizisë i është dhënë vetëm hapësira e detit territorial. Në këtë rast, eksperienca ndërkombëtare na vjen në ndihmë për të mbrojtur më mirë interesat tona përsa i përket hapësirave të pretenduara nga Republika e Shqipërisë”,- tha Metalla.

Nga ana tjetër, eksperti i fushës së detarisë, nënvizoi se pala shqiptare nuk duhet të harrojë për asnjë çast se përballë ka palën greke, vendin me flotën më të madhe detare në botë prandaj puna e madhe përgatitore dhe konsulenca ndërkombëtare do të maksimalizonte shanset e palës shqiptare për të arritur në fund të fundit atë që kërkohet nga të gjithë, një ndarje e drejtë dhe e ndershme e kufijve detarë.   

M.B.