Ditën e sotme, Bashkimi Europian ka ndarë çmimet për gazetarinë investigative në Shqipëri, për vitin 2019. Çmimi i parë ju dha gazetares së “News24”, Klodiana Lala për shkrimin: ‘Roli i krimit të organizuar në blerjen e votave’.

BE-ja ja besoi vlerësimin një jurie të pavarur që përbëhej nga Albana Kasapi, e cila punon për BBC dhe kishte rolin e kryetares së jurisë, Enver Robellit dhe Elira Çanges.

Në lidhje me vlerësimin e gazetares së njohur, Kasapi u shpreh: “Cmimin e parë juria ja ka dhënë Klodiana Lalës për “Përgjimet zbulojnë rolin e krimit të organizuar në blerjen e votave”. Ky cmim i jepet gazetares për një investigim të kujdesshëm,verifikim të fakteve dhe vendosmëri për të hedhur dritë mbi një fenomen të pranishëm në shoqërinë shqiptare por që rrallë është verifikuar tërësisht. Puna e guximshme e Klodianës dhe verifikimi i burimeve e bëjnë këtë artikull të besueshëm dhe me ndikim në shoqërinë shqiptare.”

Ndërkohë, gazetarja Lala u shpreh se ky vlerësim e bën më të motivuar për të vazhduar punën e saj:

“Besoj që ne si gazetarë kemi detyrën të jemi çdo ditë në kërkim të fakteve, provave dhe të ngjarjeve të cilat institucionet përpiqen t’i fshehin. Unë kam bërë minimumin e asaj që do duhet të bëja dhe ky çmim më motivon për të bërë edhe më shumë në të ardhmen.”

Çmimi i dytë shkoi për gazetarin investigativ Merxhan Dacit nga ‘Faktoje.al’ dhe çmimi i tretë ju akordua Andi Malasit nga Top Channel, për punën në “Top Story”. Më saktësisht për emision ku trajtohej tema: “Ndërtues që vrasin”, i realizuar pas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit të vitit të shkuar, që vrau 51 njerëz.

Çmimet shoqërohen edhe me një vlerë monetare, çmimit të parë i akordohen 5000 euro, të dytit 3000 euro dhe çmimit të tretë 2000 euro.