Në kuadër të operacionit policor të koduar “Sinjali” është arrestuar 48-vjeçari me iniciale F.L., i cili i vodhi në banesë 23 mijë Euro qytetarit me iniciale V.M., i cili po ashtu u arrestua dje për armëmbajtje pa leje.

Dyshohet se e përfshirë si bashkëpunëtore në vjedhjen e shumës edhe e bija e autorit, 22-vjeçarja me iniciale M.L.

Gjatë kontrolleve në banesën e 48-vjeçarit, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale, 8100 Euro të dyshuara nga shuma e vjedhur në banesën e shtetasit V. M.

Si rezultat i hetimeve intensive, të kryera nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, pas indicieve se një shtetasi të arrestuar ditën e djeshme, për armëmbajtje pa leje, i kishin vjedhur në banesën e tij (në oborrin e së cilës, u gjetën të fshehura në një çantë, 3 pistoleta, 1 armë gjahu dhe fishekë luftarak), një shumë parash, u organizua dhe u finalizua faza e dytë e operacionit policor të koduar “Sinjali”.

Gjatë kësaj faze, u kap dhe u vu në pranga shtetasi F. L., 48 vjeç, banues në fshatin Levan, Fier. Nga veprimet hetimore dyshohet se 48-vjeçari ka vjedhur në banesën e shtetasit tashmë të arrestuar V. M., 23 000 euro.   

Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për vajzën e shtetasit F. L., shtetasen M. L., 22 vjeçe, banuese në fshatin Baltëz, Fier, pasi dyshohet se ka bashkëpunuar me 48-vjeçarin, për të kryer këtë vjedhje“, njofton policia.