Pak ditë më parë, një shtetas gjerman mbërriti në spitalin e Vlorës i pajetë, ku u fol se kishte ndërruar jetë në jahtin e tij.

Por sipas asaj që raporton sot “News24″, ai nuk ka qenë në jahtin e tij por në atë të sheikut Abdullah bin Zayed Al Nahyan, me vlerë 450 milionë euro, i cili është ministri i Punëve të Jashtme të Arabisë Saudite dhe djali i themeluesit të saj, Zayed bin Sultan Al Nahyan.

Ngjarja ndodhi ditën e diel kur jahti gjigant qëndroi në afërsi të Karaburunit për disa orë me radhë dhe tërhoqi vëmendjen e shumë plazhistëve.

Rreth drekës, një ambulancë është paraqitur në portin e Vlorës duke marrë trupin e të riut, i cili kishte mbërritur pa jetë në spital. Nga vëzhgimi paraprak në spital, policia doli në konkluzionin që 42-vjeçari gjerman kishte ndërruar jetë si pasojë e një infarkti por më pas nuk dolën më të dhëna për shkakun e vdekjes.

Rreth orëve të mbrëmjes të së dielës, trupi u dërgua për në Tiranë ndërsa jahti u largua nga gjiri i Vlorës. Nuk dihet nëse brenda jahtit ishte pronari i jahtit i cili është një ndër njerëzit më të pasur në botë, por ajo që u pa ishte fakti që qëndroi për disa orë pranë gjirit të Vlorës.