Dy shqiptarë dhe tre italianë janë arrestuar nga autoritetet italiane për vrasjen e Elson Kalaverit, ngjarje e ndodhur në gusht të vitit 2022 në Sasso Pisano në Pisa. Siç shkruajnë mediat italiane, vrasja është porositur nga një shqiptar në shenjë hakmarrjeje për vdekjen e vëllait.

“Ai vendosi të merrte një grup vrasësish për të zbatuar atë që quhet “Kanuni” në Shqipëri”, shkruan Today.

Arrestimet janë kryer mëngjesin e kësaj të premteje në Castelnuovo Val di Cecina (një fshat në Pisa), Napoli, Casoria (një fshat në Napoli), Pescara dhe Shqipëri. Autoritetet italiane thonë se ata janë përgjegjës, në role të ndryshme, për vrasjen me paramendim të Elson Kalaverit.

Operacioni i autoriteteve italiane u quajt “Kanuni” dhe erdhi si rezultat i hetimeve të thelluara nga Karabinierët dhe Prokuroria në Pisa.

Nga verifikimet u zbulua se vrasja ishte porositur nga Shkelzen Xhelal Keçi, 41 vjeç, vëllai i Gent Keçit, për të marrë hak.

41-vjeçari u kap afër Fushë-Krujës.